Zgjedhja e Qeverisë është caktuar për të shtunën

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka caktuar më 29 gusht (të shtunën) seancën e 10-të për zgjedhjen e Qeverisë të mandatarit Zoran Zaev, i cili sot e prezantoi programin për punën dhe propozimin për përbërjen e Qeverisë tek kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Zaevi tha sot se qeveria e re do të jetë një qeveri e qëndrueshme, efektive dhe e përgjegjshme që do të garantojë angazhime strategjike, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, përballimin e krizës me koronavirusin, energji të re dhe rritje më dinamike ekonomike, si dhe një shtet efektiv ligjor, arsim modern dhe institucione të qëndrueshme.

“Sot këtu me mua janë 19 ministra dhe ministre. Të gjithë ne angazhohemi që do të shkojmë përpara çdo ditë, çdo orë, që do të punojmë edhe më shumë dhe madje edhe më mirë dhe që do të kërkojmë nga secili prej jush, nga çdo qytetar një pjesëmarrje edhe më të madhe”, tha Zaev.

Sipas tij, programi i punës i Qeverisë e pasqyron plotësisht angazhimin e të gjitha partive politike që janë pjesë e koalicionit për luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pastrim të plotë të gjyqësorit dhe verifikimin e origjinës së pasurisë dhe parave të të gjithë zyrtarëve.

Përveç Zaevit si Kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë Ljupço Nikolovski si Zëvendëskryeministër për Luftën kundër Korrupsionit, Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për Ekonomi, Nikolla Dimitrov – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – Ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë, Blagoj Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë, Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jahoda Shahpaska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – Ministre e Kulturës.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të drejtohet nga Arijanit Hoxha nga Besa, partner parazgjedhor i koalicionit të LSDM-së, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë Ministër i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e re.

Bashkimi Demokratik për Integrim do të ketë gjashtë anëtarë në Qeveri. Artan Grubi do të jetë Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Sistemit Politik, Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – Ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet Ministër i Ekonomisë dhe Naser Nuredini – Ministër i Mjedisit. Si Ministër i Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës, siç njoftohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, do të jetë Jeton Shaqiri.

Koalicioni qeveritar i përbërë nga LSDM dhe parti të tjera nga koalicioni “Ne mundemi”, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe PDSH, ka një shumicë parlamentare prej 62 deputetësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu