Zgjedhjet brenda BDI-së, gara më e nxehtë në degën e Gostivarit

Është mbyllur afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetarë në disa degë të BDI-së por edhe në organe tjera partiake.

Thirrja publike e publikuar më 19 maj ka qenë e hapur 7 ditë dhe është mbyllur dje më 26 maj. Thirrja publike është për zgjedhje të kandidatëve për anëtar të Kryesisë, për kryetar dege dhe kandidatëve për anëtar të Kryesisë së Këshillit vendor dhe të kandidatëve për kryetar të Këshillit vendor të BDI-së në degët e Tetovës, Gostivarit, Tearcës, Zhelinës, Bogovinës, Studeniçanit, Vrapçishtit, Bërvenicës, Dollnenit dhe Çashkës, shkruan Almakos.

Edhe pse komisioni partiak nuk ka shpallur zyrtarisht listat e kandidatëve të paraqitur,
ashtu siç pritej, gara më interesante po zhvillohet në degët e Tetovës dhe Gostivarit, shkruan Almakos.

Në degën e Tetovës për momentin në garë janë dy kandidatë-sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri dhe drejtori në Gondin Shëndetësor, Faton Ahmeti si pretendues tjetër për pasardhës të kryetarit aktual të degës, Florin Besimi.

Edhe më e “nxehtë” se në Tetovë, gara po duket në degën e BDI-së në Gostivar, së paku në bazë të kandidaturave të bëra publike. Nga kjo degë janë dorëzuar katër kandidatura për pasardhës të kryetarit aktual të degës, Bashkim Hasani.

Deri tani publike janë bërë kandidaturat për kryetar dege në Gostivar nga ana e profesorit Mersel Sadiku, juristit Mahir Bajrami dhe profesorit Agim Beqiri. Prej dje, atyre u është shtuar edhe ish ministri i drejtësisë, Valdey Xhaferi.

Përmes një postimi në Fejsbuk, Xhaferi është shprehur që po ndan publikisht vendimin që të shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar dege të Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar.

Kujtojmë se të drejtën e kandidimit në zgjedhjet për anëtarë të kryesisë së Këshillit Vendor dhe për kryetar të Këshillit Vendor e kanë pasur të gjithë anëtarët e BDI-së të regjistruar nga Këshilli Vendor në territorin e degës përkatëse dhe që i plotësojnë kushtet e parashikuara me Rregulloren për kriteret, mënyrën dhe procedurën e kandidimit dhe përzgjedhjen e organeve të BDI-së. Për kryetar të Degës së BDI-së mund të kandidojë secili person i cili së paku një vit është anëtar i BDI-së dhe nga vendbanimi i cili përfshihet në territorin e degës përkatëse.

Për kandidat për anëtar të Kryesisë së Degës së BDI-së mund të kandidojë secili person i cili së paku një vit është anëtar i BDI-së dhe nga vendbanimi i cili përfshihet në territorin e degës përkatëse.

Pas dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm për kandidim, duhet të bëhet shqyrtimi i kandidaturave në bazë të Rregullores dhe në mënyrë të barabartë. Fletëkandidimet mund të merren në web faqen zyrtare të KZP-së https://kzp.mk/ derisa afati për dorëzimin e kandidaturave është shtatë ditë pas shpalljes të kësaj Thirrje publike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu