Zgjidhja sipas Pacollit: Veriu zonë ekonomike, gjysma Kosovës, gjysma Serbisë, qeverisja nga një i tretë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka modelin e vet për “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës. Siç e citojnë mediat e Beogradit, ai ka thënë se “personalisht nuk sheh shans për zgjidhje politike” të problemit të Kosovës, por beson “në zgjidhjen ekonomike nga e cila të dy palët kanë interes”.

“Çfarë do të ishte kjo? Këtë po e them qysh më 2007, se veriu i Kosovës duhet të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë. Këtë e shoh si zgjidhje. Por, ndoshta për ide të tillë ende është herët”, citon agjencia serbe e lajmeve, Beta, deklaratën e Pacollit dhënë DW.

Pacolli citohet të ketë thënë se Prishtina nuk duhet të tërheqë vendimin për vendosjen e taksave doganore për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina pavarësisht se ato i dënojnë Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore, transmeton Koha.net.

“Duhet t’iu tregojmë se Kosova ka krenarinë e vet. Dhjetë vjet jemi shtet. Nuk guxojmë të lejojmë që të na shkelin më atë që e kemi arritur deri tash”, ka thënë Pacolli.

Sipas Beta-s ai është shprehur se Kosova është e gatshme të tërheq taksën vetëm atëherë kur të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe nëse në mes Kosovës e Serbisë ka reciprocitet qind për qind.

Duke komentuar vizitën e paradokohshme të komisarit evropian Johannes Hahn, i cili tha se Kosova duhet të presë liberalizimin e vizave së paku deri në vitin 2020, Pacolli, siç citohet nga mediat serbe, ka konstatuar se “Europa nuk po sillet me korrektësi”, transmeton Koha.net.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu