Zhvillim raketash në vendin që premton jo luftë

Pak ditë më parë, në përkujtim të tragjedive bërthamore të Hiroshimas dhe Nagasakit, nga qeveria japoneze do premtohej se ky vend nuk do hynte më kurrë në ndonjë luftë. Por në realitet është ndryshe.

Sipas gazetës japoneze Yomiuri, Japonia po konsideron zhvillimin e 1,000 raketave të lundrimit me rreze të gjatë, të afta për të goditur zonat bregdetare në Korenë e Veriut dhe Kinë.

Raketat do të modifikohen për të zgjeruar rrezen e tyre nga 100 kilometra në 1000 kilometra, raportoi gazeta japoneze duke cituar burime qeveritare. Ato do të zhvillohen kryesisht rreth ishujve Nansei, në pjesën jugore të vendit, sipas të njëjtit burim.

Japonia ka rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes vitet e fundit. Megjithatë, deri më tani ajo ka shmangur zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur objektivat në vende të tjera.

Tensionet rajonale u përshkallëzuan këtë muaj pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin. Pekini ka gjuajtur raketa pranë ishullit të cilin e konsideron pjesë të territorit kinez.

Ndërkohë, ndër aleatët më të ngushtë amerikanë në rajon është dhe Japonia, paçka se dekada më parë do e pësonte me dy bomba bërthamore nga SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu