Ka shkuar në 76 numri i të vdekurve nga zjarret që përfshinë rrethinat e Athinës gjatë orëve të pasdites të së hënës. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit grek.
Në raportimin e fundit të mediave greke thuhet se numri i të vdekurve nga zjarri që prej dy ditësh vijon në zonat turistike bregdetare pranë kryeqytetit të Athinës ka shkuar në 76 të vdekur dhe rreth 170 të plagosur.
Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.
Spitalet e Athinës janë vënë në gjendje emergjence, ndërkohë që ambulancat vazhdojnë të dërgojnë të plagosur dhe trupa të viktimave.
Zëdhënësi i qeverisë deklaroi se po bëhet e pa mundura për vënien e situatës nën kontroll dhe evidentimin sa më të saktë të numrit të viktimave.
Më herët, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave që tentuan t’iu shpëtojnë flakëve duke hyrë në ujë.
Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur.
Qeveria deklaroi se do të vazhdojë operacionin për gjetjen e gjithë personave të zhdukur gjatë orëve të paradites.
Flitet se mes viktimave ka dhe shqiptarë por zyrtarisht ambasada shqiptare në Athinë nuk e ka konfirmuar ende. Zyrtarisht ambasada shqiptare konfirmon për një shqiptare 63 vjeçare që ndodhet në spitalin e Evangjelizmos në Athinë.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Atikën Perëndimore dhe atë lindore. Për fat të keq, shumë prej viktimave janë fëmijë, mes të cilëve dhe një foshnje 6 muajshe.
Trupat e pajetë të 26 personave u gjetën në oborrin e një resort në Mati, (Në lindje të Atikës, 30 km larg Athines) pranë njëri tjetrit. Ata mesaduket kanë tentuar të largohen por nuk ia kanë dalë.
“Disa vendbanime janë zhdukur nga harta” tha kryebashkiaku i Rafina Pikermiou, Vangelis Bournos për një media lokale greke. Ndërkohë hetohet pista e zjarrvënies.
Një evakuim masiv është ndërmarrë me anije ushtarake, flotilje apo anije private dhe helikopterë ushtarakë.
Video: