Zouma tregon si e kishte lënduar Mourinho: Më quajti bërllog

Mbrojtësi i Chelseat, Kurt Zouma, e ka rrëfyer rastin kur Jose Mourinho e kishte quajtur atë “bërllok” pas një paraqitje të tij të dobët në ndeshje të zhvilluara para disa viteve.

Jose Mourinho e kishte sjellë Kurt Zouman si 19-vjeçar në Stamford Bridge nga Saint-Etienne në vitin 2014 dhe Zouma ishte befasuar nga sjellja dhe veprimet e trajnerit portugez, transmeton Gazeta Express.

Përderisa ende po tentonte ta gjente veten në ekipin e parë të Chelseat, mbrojtësi i ri ishte tronditur kur Mourinho i ishte afruar një ditë dhe nuk e kishte kursyer aspak me kritika.

“Nuk e mbaj mend se çfarë ndeshjeje po e luanim. Ishim duke humbur me rezultat 3:1 dhe po luanim si mysafirë”, ka thënë Zouma, në një intervistë të dhënë për RMC Sport.

“Ditën vijuese, ai [Mourinho] m’u afrua, më mori në zyre dhe më pyeti se a isha në rregull. Unë iu përgjigja që po dhe ai më pyeti se a isha i sigurt”.

“Unë i thashë po përsëri dhe ai u përgjigj duke më thënë: “Sepse ti ishte bërllok këtë fundjavë”. E tha ashtu, direkt. Mua më tronditi, por gjithashtu më bëri t’ia vendos vetes qëllim t’i kthej atij përgjigje menjëherë në fushën e lojës”.

“Mbaj mend se ai rast më kishte lënduar, kishte pasur shumë ndikim te unë. Unë erdha këtu si 19-vjeçar dhe ai ma dha mundësinë të luaj. Nuk e di se çfarë mendojnë tjetër, por unë nuk pajtohem me idenë se Mourinho s’u jep mundësi lojtarë të rinj”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu