Zvicra bllokon kërkesën e Danimarkës për të dërguar automjete të blinduara të prodhimit zviceran në Ukrainë

Qeveria zvicerane ka vënë veton ndaj kërkesës së Danimarkës për të dërguar automjete të blinduara luftarake të prodhimit zviceran në Ukrainë, njoftoi transmetuesi zviceran SRF të mërkurën.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), një organ qeveritar zviceran i ngarkuar me eksportet e armëve, e hodhi poshtë kërkesën me arsyetimin e neutralitetit të vendit, i cili e ndalon atë të furnizojë me armë zonat e konfliktit.

Danimarka donte të dërgonte 20 tanke Piranha të prodhimit zviceran në Ukrainë, por politika e neutralitetit të Zvicrës kërkon që vendet e huaja që blejnë armë zvicerane të kenë leje për t’i eksportuar ato.

Në prill, SECO kishte refuzuar kërkesën e Gjermanisë për të rieksportuar municione të prodhimit zviceran të përdorur në tanket kundërajrore Gepard.

Në vazhdën e luftës, Berlini u përball me presion të madh brenda dhe jashtë vendit për të hequr dorë nga ngurrimi i tij për t’i ofruar armë Ukrainës.

Në anën tjetër, neutralitetin i Bernës gjithashtu po testohet fuqishëm pasi disa autoritete zvicerane kanë shprehur mbështetjen e tyre për shtetet evropiane për të “kaluar armët zvicerane” në kushte të caktuara.

Ndryshe, gjatë tre muajve të fundit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht vendeve perëndimore që të dërgojnë më shumë armë pasi vendi përballet me bombardime të intensifikuara nga trupat ruse në rajonin e Donbasit. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu