Zyrtare: Donald Trump merr pjesë në takimin Hoti-Vuçiç

Presidenti amerikan Donald Trump do të jetë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Lajmi është konfirmuar në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas njoftimit, Trump do të jetë pjesë e takimit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes paradite, si dhe do të mbajë më pas një takim trilateral me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Takimi do të jetë privat mes Trump, Hotit e Vuçiçit. Njoftimi nuk përcakton çfarë marrëveshje do të nënshkruhet, por palët bënë të ditur dje se bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike.

Takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe nisi dje në Shtëpinë e Bardhë. Në takimin e djeshëm mori pjesë edhe vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump.

Praninë e saj e konfirmoi në një deklaratë për mediat edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se folën për çështje të rëndësishme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu