Doktor Agim Kolasi, mjeku që ka kryer 5000 operacioneve

Ai është një ndër mjekët e parë që hap dyert e Spitalit Ushtarak. Zgjohet çdo ditë herët, për të hyrë në orën 7 fiks në kabinetin e tij pranë Konservimit të gjakut. Edhe pse sot 78 vjeç ai vazhdon ende të japë ndihmën e tij në Repartin e Neurokirurgjisë. Pas 2 orë e gjysmë pritje, arritëm të futeshim në kabinetin e doktorit më të vjetër të këtij spitali. Veshur me përparëse të bardhë kërkon ndjesë për vonesën për shkak të disa konsultave dhe na fton në zyrë ambientin e punës për të bashkëbiseduar. Agim Kolasi është themeluesi i shërbimit të Neurokirurgjisë pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë ku edhe sot, edhe pse në pension, jep konsulta në këtë repart.

Lindur më 1939 në Kamnik të Ersekës, doktor Kolasi kujton se prindërit e tyre kanë qenë emigrantë në Stamboll dhe pas revolucionit të Ataturkut, familja e tyre u zhvendos në Shqipëri. Dëshira për tu bërë mjek nisi në fëmijëri kur ai u sëmur nga bajamet, mjeku që e kuroi i la mbresa dhe që aty nisi të adhuronte profesionin e mjekut. Doktor Kolasi kreu arsimin e mesëm ne Politeknikun Mjekësor të Tiranës, e më pas studimet e larta në Fakultetin e mjekësisë. Në vitet 70’-71’ u specializua në Pekin, Republikën Popullore të Kinës, për neurokirurgji. Specializimi i tij ishte praktik pasi ndër ato vite zhvillohej lufta me Vietnamin dhe të plagosurit ishin pacientët e tyre. Pas Pekinit ai kreu dhe specializime të tjera të shkurtra në Budapest dhe Vjenë.

Duke kujtuar fillimet e tij në mjekësi ai kujton ditën e parë të punës. “Puna e parë që bëra, bleva një çantë që e mbusha me pajisjet mjekësore. Më kujtohet sa i emocionuar kam qenë kur lëshova recetën e parë, tërë kujdes dhe duke u menduar mirë. Më pas ia mora dorën dhe u aftësova”, rrëfen doktor Kolasi. Pjesëmarrjen e parë si kirurg doktor Kolasi e kujton si një ndër ditët më të rëndësishme të karrierës së tij. “Ishte gjatë kohës së specializimit në Pekin. Duhej të hiqnim nga truri një masë tumoriale. Në Shqipëri nuk kisha parë kurrë një gjë të tillë. Gjithë mbrëmjen para operacionit e gdhiva, më pas kur e realizuam ndërhyrjen kuptova që nuk ishte aq e vështirë”.

Pas specializimit doktori u kthye në Shqipëri për të organizuar dhe hapur për herë të parë në ‘72 shërbimin e Neurokirurgjisë me 15 shtretër, ku trajtonte gjithë traumat dhe heqjen e tumoreve në tru apo palcën kurrizore. Ai shprehet se ka punuar gjithmonë në kolektiv dhe është mjaft i lumtur për pasardhësit që ka lënë sot në drejtimin e këtij reparti, Fatos Olldashin dhe Perlat Hodon. Doktor Kolasi pohon se ka realizuar mbi 5000 operacione , ku ka shpëtuar por dhe humbur pacientë. Të njëjtën si e përjeton tragjedinë familja, të njëjtën e përjeton edhe mjeku. Një ndër rastet kur e ka përjetuar më keq humbjen e një pacienti ka qenë ajo e një djali të vogël që kishte një masë tumoriale në trurin e vogël. Ndërhyrja e masës u realizua me sukses, por fatkeqësisht djali vdiq pas ndërhyrjes nga tromboza.

“Kam qarë më shumë se e ëma e djalit. Ndihesha përgjegjës se e kisha kryer unë atë operacion”, shprehet ai. “Nuk është e rastit se një pjesë e kirurgëve vdesin nga sëmundjet kardiake. Emocionet që mbajmë ne janë shumë të forta”. Doktori shton se vështirësia e të qenurit mjek nuk është vetëm përgjegjësia e jetës, por edhe ajo e ekuilibrimit të familjarëve. Në të njëjtën kohë ata duhet të jenë edhe mjekë, por edhe psikologë. Për të është mjaft e rëndësishme edhe të dish si të komunikosh me familjarët dhe të përpiqesh të ruash qetësinë. Kur bëhet fjalë për jetën është e vështirë të ruash ekuilibrin.

Numri i viktimave nga traumat në Shqipëri është mjaft i lartë dhe krahasuar me 20 vite para është rritur ndjeshëm. Doktori këtë fenomen e shpjegon me rritjen e mirëqenies dhe transportit. Ai tregon se pacientët më të shumtë vijnë nga aksidentet rrugore. “Ka shumë të rinj që humbin jetën si pasojë e këtyre traumave. Nuk besoj shkaku kryesor qëndron tek alkooli, apo shpejtësia, sesa qëndron rrugët e këqija. Nëse duhej të ndryshohej diçka duhej të niste nga aty”, thekson mjeku i palodhur.

Mjekët profesioni më pak i vlerësuar

Ai beson se në Shqipëri hidhet baltë tek mjekët dhe është profesioni më pak i vlerësuar ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. “Unë nuk besoj se korrupsioni të mjekët të jetë kaq i madh sa bëhet. Nuk e mohoj ka edhe mjekë që përfshihen në kësi ryshfetesh, por nuk e besoj që të jetë kaq në masë. Ne jemi këtu për të ndihmuar. Besoj se ky paragjykim për ne është ngulitur thellë tek njerëzit madje janë ata që dashur padashur na ofendojnë me këto ide. Shqipëria besoj se ka mjek të zotë.

Duke marrë parasysh sa pak vend i zhvilluar jemi dhe mungesës së aparaturave të ndryshme mjekësore besoj se mjekët shqiptarë e realizojnë shumë mirë detyrën e tyre”, thekson doktori. Si mesazh për të rinjtë mjekësisë , Kolasi shpreh se nuk duhet të heqin kurrë dorë edhe pse mjekët me më shumë eksperiencë nuk i japin fort mbështetje. “Do doja ti përcillja një mesazh konservave të vjetra që ti lënë më shumë hapësira të rinjve, pasi ka vërtet të rinj mjek që e dashurojnë dhe kanë vullnet të madh për punën e tyre. Me më shumë mbështetje për ta mund ta çojmë më para mjekësinë shqiptare. Duhet të investojmë në krijimin e figurave të reja mjekësh më të zotë se ne”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu