Maqedonia e Veriut për herë të parë me presidente femër

Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit. Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.

Kryetari i Kuvendit Jovan Mitrevski pasi ta pranojë Raporin e KSHZ-së për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ndërsa afati I kSHZË është deri të premten në ora 19:00 do ta caktojë seancën për inagurimin e presidents më 12 maj në ora 12:00.

Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake. Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend.

Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.

Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota. Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.

I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta. Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004. Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat. Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate, deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu