Në burg për një grabitje: “Po luaj mendsh, nëse jam fajtor të më pushkatojnë”

Dy prindër kanë rrëfyer sot në emisionin “Me zemër të hapur”, dramën e vërtetë që po përjetojnë prej muajit mars të vitit 2015 nga policia e Durrësit. Familja Masha i është drejtuar emisionit në News24 për të kërkuar drejtësi për djalin e tyre ose ndryshe ata kërcënojnë me vetëgjyqësi.

Djali i tyre akuzohet si organizator i grabitjes së banesës së administratorit të komunës Bubq në Fushë-Krujës, Qemal Daci, ngjarje e ndodhur më 12 mars të vitit të kaluar.

5 të rinj kanë hyrë në mbrëmje në banesën e Dacit duke hapur derën me levë, grabitësit kanë lidhur me fasheta makinash në duar dhe me tel telefoni ne këmbë të zonjën e shtëpisë Rudina Daci, dhe kanë arritur të grabisin në katin e dytë të banesës një shumë parash prej 10 mln lekësh të vjetra. Për ngjarjen u arrestuan 5 persona si dhe kushëriri i administratorit Murat Masha, i cili është dënuar me 12 vite burg për këtë grabitje ku mbeti e dëmtuar e zonja e shtëpisë dhe një fqinje.

Prindërit e të riut, të afërm me administratorin e komunës, thonë se arrestimi i djalit ishte i dyshimtë dhe me prapavijë. Sipas tyre, gjykata e ka dënuar djalin pa pasur prova.

Në një komunikim live ka folur edhe vetë i dënuari Murat Masha, i cili thotë se po çmendet në burg pasi është bërë padrejtësi me të.

Murat, pse mendon se je i pafajshëm? A i njeh ti ata 5 persona që janë arrestuar se kanë bashkëpunuar me ty?
Nuk njoh asnjë prej atyre që janë arrestuar. Absolutisht!

I ke telefonuar ndonjëherë?
Nuk i kam telefonuar ndonjëherë. S’kam dijeni për vjedhjen. Nëse kam unë gisht të më dënojnë me pushkatim. Unë jam i pafajshëm.

A të kanë thënë gjatë gjykimit nëse të njohin?
Më kanë thënë “nuk e njohim”. Edhe para policisë kanë thënë “nuk e njohim”. Nuk kam të bëj fare me ta.

Ti thua se po dënohesh padrejtësisht, sipas teje kush ka synim që të ka përfshirë ty?
Nuk di gjë. Nuk kam të bëj hiç me ta. Ka patur dyshime, se kam bërë llafe me djalin e Qemalit 2-3 ditë para. U pajtuam, u rregulluam, pimë kafe. Unë s’kam dijeni fare, po bëj burg kot, po luaj mendsh këtu në burg.

Ti thua se për shkak të një grindjeje?
Kam pas fjalë. Unë kam qenë tek karburanti, me motrën time duke marrë karburant.

Sa beson në pafajësinë tënde?
Unë dua të dal e vërteta. Kanë bërë padrejtësi në mua. Jam duke luajtur mendsh, jam duke bërë burg kot.

Si do ta provosh pafajësinë?
Po më bëhet padrejtësi e madhe. Po vonohet e vërteta, të zbardhet sa më shpejt.

ADMINISTRATORI I KOMUNËS: KAM BESIM TEK DREJTËSIA
Pronari i banesës ku ka ndodhur grabitja, për të cilën akuzohet si autor kryesor 30-vjeçari Murat Masha, administratori i komunës Bubq, Qemal Daci thotë se ka besim tek drejtësia, por se ai vetë nuk e ka denoncuar kushëririn e tij.

“5 çuna kanë hyrë në shtëpi, i kanë vunë armët, i kanë shtrirë përtokë, i kanë kërcënuar për të marrë paratë. Unë e kam kontaktuar në rrugë një nga grabitësit. Murat Mashën e kanë denoncuar ata persona që janë dënuar nga gjykata, jo unë”, ka thënë Daci.

Ju e besoni që informatori është Murat Masha?
Atë e di gjykata, jo unë. Unë e kam gjakun tim Muratin. Jam administrator i komunës sot. Nuk e kam denoncuar Murat Mashën për këtë problem. Por e ka vendosur gjykata dhe e ka dënuar si autorin kryesor të grabitjes.

Ju besoni në pafajësinë e Muratit?
Atë e vendos gjykata dhe jo unë.
Mund të jetë një gabim njerëzor nga ana e gjykatës? Prindërit e Muratit thonë se ai është i pafajshëm…
Prindërit e Muratit jo vetëm që nuk kërkojnë falje, por nuk lënë gjë pa thënë rrugës. Atë nivel kanë ata dhe atë djalë kanë rritur.

Pra, ju besoni në fajësinë e Muratit?
Unë besoj tek vendimi i gjykatës dhe tek ato çfarë kanë deklaruar ata që janë arrestuar./News 24


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu