“Mëngjesin e 17 Majit, Kosova në KiE”, Vuçiç sfidon Amerikën: Unë rri dhe pi me Dodikun e sanksionuar

Topin e mbajti në ajër disa herë, por “lojën” e humbi. Jo atë të futbollit, por atë diplomatike. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ngre flamurin e bardhë dhe pranon se mëngjesin e 17 majit, Kosova do të jetë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Ai vazhdoi sulmet ndaj ndërkombëtarëve, duke pretenduar se Gjermania po bën një fushatë brutale për ta mbyllur me sukses këtë proces në Strasburg.

“Ata do të kenë nga 29 deri në 33 vota dhe u duhet një shumicë prej 31 votash për pranimin e Kosovës, kështu që çdo gjë është në avantazhin e tyre. Deri më 17 maj nuk do të jem gjallë, më pas do të shohim.”

Ai përmendi edhe 13 majin si një datë të vështirë për serbët, pasi pritet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Vuçiç sinjalizoi se nuk do të pranojë zgjidhjen e propozuar nga Bashkimi Europian për çështjen e dinarit serb në Kosovë, duke thënë se do të financojë udhëtimet e serbëve në pikat kufitare për të tërhequr paratë e dërguara nga Beogradi.

Sërish inatin më të madh e pati me Gjermaninë, pasi sipas tij po mundësojnë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kritikën Amerikane për qeverinë e re nuk e mori në konsideratë.

“Epo edhe Dodik është i sanksionuar por është këtu pranë meje. Kështu që le të pimë. Ne pimë bashkë një herë në javë, ai mban një gotë raki, unë një gotë vere dhe çfarë pastaj? Nuk është lajm i mirë për ne, por të shpresojmë që të kemi marrëdhënie të mira me partnerët amerikanë.”

Këto deklarata i bëri gjatë përurimit të nisjes së punimeve për stadiumin kombëtar. Presidenti serb zhvilloi një tur me autobus, ku si gjithmonë i ftuar ishte dhe lideri i Republika Srpska, Millorad Dodik. Por gjërat nuk i shkuan siç duhet pasi autobusi ngeci në baltë dhe iu desh që të ndërronin automjet./A2CNN

VIDEO


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu