Sejdiu: Rugova foli për tokën e Kosovës dhe folenë e shqipeve maje Çakorri

Një jetë e shkrirë për liri, e ka cilësuar atë të presidentit historik Ibrahim Rugova, pasuesi i tij në LDK e në pozitën e presidentit të vendit, Fatmir Sejidu.

“E solli koha dhe bëri kohën e vet. Një jetë luftë për Kosovën – për lirinë e saj. Ishte shembull unikal me veprën dhe jetën e tij”, thuhet tutje në kujtimin që Sejdiu ka bërë për presidentin Rugova.

“Na la me dhembje dhe kujtime që nuk shuhen. Karshi kohëve të rënda dhe luftës së përditshme për lirinë ‘gjuante gurin larg përtej bjeshkëve dhe oqeaneve’ për Kosovën e nesërme”, ka thënë Sejdiu, teksa ka numëruar se për çka foli Rugova.

“Foli për Dardaninë antike dhe Skupin kryeqendër të saj. Foli për Ilirinë e shenjtë dhe dritëdhënësit e saj. Foli dhe shkruajti për Bogdanin dhe jo vetëm për letrat e tij. Foli për Besëlidhjen e Lezhës dhe nevojën e bashkimit të burrave të dheut. Foli për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe idenë e saj kombëtare dhe thellësinë e projektit të saj. Foli për ditët e vështira të Kosovës dhe luftërat ballkanike. Foli për Wudrow Willsonin dhe fijet e miqësisë me Shtetet e Bashkuara. Foli për përgjakjet dhe shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve. Foli për tokën e Kosovës dhe folenë e shqipeve maje Çakorri. Foli për rrugën e kombit dhe damarët e jetës shqiptare. Foli për lirinë, foli për paqen. Ftonte çdo të premte për intervenimin ndërkombëtar në Kosovë dhe protektimin e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimor”, ka thënë Sejdiu, përcjell Koha.net. “Foli çdo të premte edhe atëherë kur thoshin se janë iluzione. Njerëzit e Kosovës i besuan. Foli në Washington. Miqtë nga Amerika i besuan. Foli në Bruksel, po kështu i besuan. Foli dhe shkroi gjithë jetën e tij. Nuk u tremb. Nuk u ndal. Një jetë e shkrirë për liri. Të besova nga dita e pare miku im!”, ka thënë në fund të fjalës së tij Sejdiu./koha


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu