Zgjedhjet lokale, dy Aleanca në një fletë votimi (VIDEO)

Partia “Aleanca për shqiptarët” e Zijadin Selës ka vazhduar reagimet ndaj vendimit të Gjykatës Administrative e cila një ditë më parë e hodhi poshtë padinë të cilën Aleanca e dorëzoi dy ditë më parë për shkak të kontestit me përdorimin e emrit dhe emblemën e njëjtë në listat zgjedhore, me koalicionin parazgjedhor “Aleanca për Shqiptarët (RDK Uniteti) në zgjedhjet lokale. Nga partia e Selës thonë se reformat në gjyqësor janë më se të nevojshme për shkak të situatave të këtilla.

Themi me keqardhje se kjo është vetëm edhe një dëshmi shtesë se sistemi gjyqësor në Maqedoni është i politizuar skajshmërish dhe vendimet merren nën ndikimin e politikës. Aleanca për Shqiptarët si pjesë e pushtetit do bëj përpjekje maksimale që sa më shpejtë të fillojnë reformat në gjyqësor – thanë Partia “Aleanca për Shqiptarët”.

Eksperti juridik Naser Ziberi thotë se një gjendje e tille vjen si pasojë e zbrazëtirave ligjore të cilat keqpërdoren nga ana e personave të caktuar për interesa partiake. Ziberi madje thotë se emërimi i të dyja palëve me emër dhe emblemë të njëjtë shkakton huti tek votuesi shqiptar.

Paraqitja e dy listave për zgjedhjet lokale me të njëjtin emër me të njëjtin simbol është produkt I zbrazëtirave ligjore të cilat mundësojnë një situatë të tillë që padyshim që krijon huti te votuesit. Kodi zgjedhor rregullon vetëm situatat se cka duhet të përmbajnë listat por jo edhe çfarë nuk duhet të përmbajnë, dhe kjo krijon konfuzion. Kjo zbrazëtirë ligjore në raste të caktuara mund të keqpërdoret,apo të fus në konfuzion sic është rasti konkret në këto zgjedhje lokale. Në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë se është keqpërdorë kjo mënyrë e parashtrimit të listave kur dy subjekte me emër të ngjashëm dhe simbole, partia social demokrate, lidhja social demokrate në listat e emrave për deputet dolën me lista të ngjashme dhe emra të njëjtë të kandidatëve të mundshëm dhe kjo krijon huti – deklaroi Naser Ziberi, ekspert juridik.

Neni 60 i Kodit Zgjedhor thotë se “Koalicionet zgjedhore duhet të kenë kontratë për koalicion zgjedhor në të cilin duhet të shënohet qartë se për cilën njësi zgjedhore bëhet koalicionimi dhe duhet të ketë emrin e koalicionit dhe simbolin.

Ndërkaq në nenin 64 të Kodit Zgjedhor thuhet “ Lista duhet të ketë emrin, emrin e propozuesit dhe simbolin e propozuesit në qoftë se e ka”.

Por në Kodin Zgjedhor nuk është e definuar, e as e sqaruar se dy propozues nuk duhet të kenë të njëjtin emër apo të njëjtin simbol, gjë që shpie deri në situata të tilla ku dy subjekte politike të mbajnë të njëjtin emër dhe simbol . Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës është regjistruar më 7 shtator të këtij viti me adresë në Tetovë, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët RDK Uniteti është regjistruar shtatë ditë më vonë (14 shtator) me adresë në Çair. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, LR PDSH, RDK dhe Uniteti garuan si koalicion parazgjedhor me emrin “Aleanca për Shqiptarët” dhe siguruan tre deputetë së bashku.

ALSAT-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu