100 ditëshi i Qeverisë Kurti, mbi 70 për qind e qytetarëve i vlerësojnë si të mira vendimet ekonomike

Shtatëdhjetë e katër për qind e qytetarëve e konsiderojnë të mirë punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për sa i përket vendimeve ekonomike. Kështu tregon hulumtimi më i fundit i realizuar nga kompania për hulumtime Pyper.

Në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, qytetarët po ashtu u prezantuan me Pakon e Ringjalljes Ekonomike prej 420 milionë euro. Për 58 për qind e të anketuarve, kjo Pako po konsiderohet të jetë e mjaftueshme për ta përmirësuar nivelin ekonomik në vend.

Veç kësaj, me të gjithë ndryshimet e ndërmarra nga Qeveria në ndërmarrje publike, pra shkarkimin e bordeve, pothuajse gjysma e të anketuarve konsiderojnë se shkarkimi i tyre do të ketë efekt pozitiv në performancën ekonomike të ndërmarrjeve. Me fjalë tjera, të anketuarit presin këto ndërmarrje të shënojnë fitim.

Për dallim prej këtyre, rreth 1 në 10 të anketuar mendojnë se ndërmarrjet publike do të shënojnë humbje në këtë rast si dhe rreth 1 në 10 po ashtu mendojnë se performanca e ndërmarrjeve do të jetë e njëjtë.

E duke pasur parasysh se vendimet janë të rëndësishme, të anketuarit po ashtu kanë pasur mundësinë të shprehin mendimin e tyre se cili vendim do të duhej të ndërmerrej nga Qeveria Kurti në aspektin ekonomik, pra që nuk është ndërmarrë ende).

E prej të gjitha përgjigjeve të ofruara nga të anketuarit, vlen të ceken si më të përmendurat vendosja e masës së reciprocitetit me Serbinë, rritja e pagës minimale si dhe krijimi i një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike.

Së fundmi, me të gjitha premtimet elektorale të ofruara për zgjedhjet e 14 shkurtit, 61 për qind e të anketuarve besojnë se qeveria do t’i përmbush premtimet ekonomike dhënë qytetarëve. Hulumtimi është realizua me 1,099 pjesëmarrës anembanë Kosovës përmes një mostre jo të rastësishme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu