Nëna e 14-vjeçarit që u sulmua me thikë në lagjen Hasanbeg të Shkupit ka kërkuar që rasti të rikualifikohet si tentativë vrasjeje, duke shprehur pakënaqësi me mënyrën se si po trajtohet nga institucionet.
Xheljana Selimi rrëfen se djali i saj, i cili ndodhej në Hasanbeg me kushërinjtë, kishte dalë për t’u takuar me disa shokë në një park, pas një telefonate që kishte marrë. Sipas saj, në vend të shokëve e prisnin tre persona të rritur, të cilët e sulmuan menjëherë.
“Njëri e goditi në kokë me një pushkë, i dyti e goditi në trup, ndërsa i treti e theri shtatë herë me thikë në shpinë”, deklaroi ajo për televizionin Telma.
Pas sulmit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes, ndërsa një kalimtar, pasi e gjeti të miturin të plagosur, njoftoi ambulancën dhe policinë.
Nëna thotë se djali i saj vazhdon të jetojë me frikë dhe se familja nuk ndihet e sigurt.
“Sot ishte fëmija im, nesër mund të jetë fëmija i dikujt tjetër. Ky rast nuk duhet të trajtohet si dhunë, por si tentativë vrasjeje. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Selimi.
Ajo shton se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt të mëparshëm apo motiv që mund të ketë çuar në sulm.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë arrestuar tre persona me inicialet J.J., V.A. dhe V.S., të dyshuar për sulmin ndaj të miturit më 22 qershor në zonën e Gazi Babës.
Sipas MPB-së, pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihen kallëzimet penale përkatëse./INA/








