5 minuta para Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Palmer përmes një telefonate ‘zbut’ Isa Mustafën

Sot në orën 14:30, është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me qëllim të merret vendim për koalicion eventual me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kushtet që duhet të mbahen për një gjë të tillë, shkruan Gazeta Blic.

Por, agjendën e mbledhjes e ka ndryshuar një telefonatë nga ndihmësi i sekretarit të Shtetit i SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, vetëm pesë minuta para se të nisë gjithçka.

Burime të Gazeta Blic, bëjnë të ditur se Palmer, e ka telefonuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, duke ia bërë të qartë këtij të fundit, se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm nuk bën të merret ndonjë vendim që posti i presidentit të jetë kusht për koalicion me VV-në.

Në telefonatën e Palmer, i thuhet Mustafës, që mund mund ta diskutojnë secilin kusht për koalicion me Vetëvendosjen, por nuk duhet të marrin asnjë vendim brenda partisë që posti i presidentit të jetë kusht për koalicion me Vetëvendosjen, ashtu siç edhe pritej.

Si pasojë e kësaj telefonate, në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, nuk është hedhur fare votim nëse posti i presidentit të jetë kushti kryesor për bashkëqeverisje, duke bërë kështu që ky pozicionim i Mustafës, mos të bëhet i ‘plotfuqishëm’ brenda organeve të partisë.

“5 minuta para se të fillojë takimi, ka ardhur një telefonatë nga ana e Palmerit, ku është kërkuar që mos të ketë vendim në organet e partisë që posti i presidentit të jetë kusht që LDK të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo ka bërë që të ndryshojë rrjedha e mbledhjes, ku përveç diskutimit, nuk është hedhur fare në votim, në mënyrë që kjo të bëhet kusht i prerë për Vetëvendosjen”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, në konferencë për media, ka dalur kryetari i saj, Isa Mustafa, duke e bërë të qartë se në këtë mbledhje ka pasur vetëm diskutime.

Kreu i LDK-së, ka potencuar se nuk është marrë asnjë vendim në organin më të lartë të partisë, për koalicion eventual me Vetëvendosjen e as kushtet që duhet vendosur.

Po ashtu, Gazeta Blic, raportoi se nesër Mustafa dhe Kurti do të kenë takime të ndara me një delegacion të kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim që të bëhet trysni për arritjen e koalicionit mes këtyre dy partive.

Këtë raportim e konfirmoi edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili theksoi se nesër në mëngjes do të takohet me përfaqësuesin e kancelares gjermane, Peter Beuer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu