Analisti kosovar habit me deklaratën e tij: Shqiptarët e Maqedonisë nuk e duan Kosovën sa e dua unë

Pra, arsyeja e “importimit” të shqiptarëve në Kosovë është më shumë e ndërlidhur me nevojën ekzistenciale dhe ambicien personale sesa kombëtare dhe shtetërore. Për arsye të njëjta, në kontekstin e ngjashëm politik, edhe unë u eksportova disa vjet në Beograd (Serbi) për shkak të karrierës akademike dhe profesionale

Nga: Belul Beqaj

Zotëri Nexhat Daci, Shtetasit e Kosovës duhet të jenë krenarë pse Kosova në periudhën komuniste dhe postkomuniste ka qenë streha më e hapur për të gjithë shqiptarët që kanë jetuar jashtë saj.

Të ballafaquar me pengesat subjektive dhe objektive, veçmas diskriminimin në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi, rrezikimit ekzistencial, por edhe ambicieve karrieriste, shqiptarët po “importohen”, para së gjithash, falë gatishmërisë së absorbimit altruist të kosovarëve, përkundër “saçit” serb që vazhdimisht kosovarët e kanë pasur mbi kokat e tyre. Pavarësisht se në periudha të ndryshme ishim bashkë, Kosova u shndërrua në strumbullar të zhvillimit kombëtar që u kurorëzua me shtetin e papërfunduar plotësisht. Sot Kosova është në udhëkryq.

Sa kanë qenë kosovarët të hapur dhe mirëpritës dëshmon edhe fakti se rolin dominues dhe udhëheqës në ASHA të Kosovës e kanë me vite shqiptarë të “importuar”. Në mesin e shqiptarëve të “importuar” nga jashtë ka mjaft kontribuues të zhvillimit të vetëdijes kombëtare dhe shtetit të Kosovës. Por, dorën në zemër, asnjëri nga ta nuk e do Kosovën më shumë se kosovarët e lindur në Kosovë. Për shkak se, dorën në zemër, as unë, besoj edhe kosovarët tjerë normalë, nuk e duan Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë më shumë se vendlindjen, Prizrenin – Kosovën.

Pra, arsyeja e “importimit” të shqiptarëve në Kosovë është më shumë e ndërlidhur me nevojën ekzistenciale dhe ambicien personale sesa kombëtare dhe shtetërore. Për arsye të njëjta, në kontekstin e ngjashëm politik, edhe unë u eksportova disa vjet në Beograd (Serbi) për shkak të karrierës akademike dhe profesionale. Por, për dallim nga shumica e shqiptarëve të “importuar”, në mesin e të cilëve është dhe ish-politikani i dështuar, që po na tregon nga pozita e kryetarit të institucionit më të lartë shkencor (ASHAK) se cili politikan “është i pakontestueshëm për pozitën që e ka tani, të kryenegociatorit ose udhëheqësit të delegacionit” në dialogun me Serbinë, unë u ktheva në Kosovë – vendlindje pa u deklaruar politikisht se cili lider politik i Luginës së Preshevës është i pakontestueshëm! ASHAK-ja, në vend se të japë shpjegime shkencore, pse normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës edhe pas shatë vjetëve është abnormal, për përparësitë dhe pasojat e opsioneve të zgjidhjes gjithëpërfshirëse të dialogut me Serbinë, për herë të dytë, nga intelektualët e “importuar” po deklarohet për vendimin dhe deklarimet e kryetarit të shantazhuar të Kosovës?! Këmbëngulja për një proces dhe kryenegociator tashmë të dështuar tregon mungesën e karakterit të duhur.

Sikur të deklaroheshin në cilësinë e politikanëve, pavarësisht se kanë dështuar në politikë, ndoshta mendimet e tyre do të justifikoheshin, por kur nga pozita e institucionit më të lartë akademik-shkencor deklaroheni për politikanë, tregon se ju jeni zgjedhur në krye të ASHAK-së, sepse jeni poltron i politikanëve të cilët me fajin e tyre dhe tuajin shtetin e kanë të papërfunduar, ngase veten e keni ngritur mbi shtetin. Ju po dëshmoni se interesi juaj në Kosovë është para shtetit të Kosovës, siç edhe ka qenë edhe motivi i “importimit” në Kosovë.

Fillimisht e keni dëmtuar vendlindjen dhe vendlindasit dhe tashti po e dëmtoni Kosovën. Sikur ta kishit dashur me hakikat vendlindjen, ju do të angazhoheshit atje. Sikur të kishit bërë minimumin e interesimit tuaj për interesat maksimale që po realizoni në Kosovë, gjendja në vendlindjen tuaj do të ishte shumë më shpresëdhënëse. Duke mbështetur “korrigjimin” e kufijve dhe kryetarin e Kosovës, ju nuk po i ndihmoni Luginës së Preshevës e as shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Përkundrazi, ju po i rrezikoni edhe më shumë ata për interesa tuaja. Ju lutem, në vend se të përkrahni “korrigjimin e kufijve” të kryetarit të Kosovës, i cili është në siklet personal, korrigjojeni sa më shpejt veten, sepse nuk keni shumë kohë për korrigjime! Gabimin më të madh e keni bërë kur keni deklaruar se nuk gaboni. Korrigjojeni sa më shpejt veten, sepse nuk keni shumë kohë për korrigjime!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu