Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është shprehur i bindur se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Jam i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Gashi sot në brifingun e rregullt me gazetarët.
I pyetur se mbi çfarë e bazon këtë bindje, duke marrë parasysh deklaratat e fundit në opinion për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Gashi u përgjigj se kjo vjen nga “intuita e tij politike”.
Gjatë koordinimit të rregullt me koordinatorët e grupeve parlamentare, përfaqësuesi i së Majtës e ka hapur edhe çështjen e Kodit Zgjedhor, pikërisht për shkak të deklaratave publike lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Gashi tha se është mirë që për këtë çështje të diskutohet dhe, nëse ekziston gatishmëri, grupi punues në Kuvend dhe koordinatorët duhet t’i vazhdojnë bisedimet për Kodin Zgjedhor.
Sa i përket Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili është bllokuar në Kuvend për shkak të bllokadës së Badenterit nga BDI-ja, Gashi tha se ka komunikim me liderët e partive politike.
Megjithatë, ai mohoi se në mesin e liderëve me të cilët ka komunikuar është edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. (INA)










