A do të rrezikohet Marrëveshja e Prespës në qershor?

Si do të mbrohej besueshmëria e Bashkimit Evropian dhe aspirata për t’u bërë pjesë e Unionit në qoftë se në qershor nuk marrim datë për nisje të bisedimeve? Mbrëmë në “Click Plus” të TV21, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq tha se do të jepte propozime më serioze kah fundi i qershorit.

“Është e sigurt se nuk do të heqim dorë nga rruga evropiane dhe nuk mund të heqim dorë. Asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, për të arritur deri këtu rruga ishte e vështirë, e vështirë ishte edhe rruga për t’u anëtarësuar në NATO, ta mos harrojmë këtë. Kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga rruga jonë evropiane dhe se nuk duhet të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive”, tha Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Ai theksoi se trysnia apo dëshira e SHBA-ve dhe BE-së është në këtë drejtim dhe se nuk ka kohë për të pritur. Mariçiqi shton se nuk mund të thuhet se deri tani ka pasur presion për ndonjë çështje kyçe që ka rëndësi të madhe për ne.

“Pritja nuk mund të sjellë asgjë të mirë, kjo është e vërtetë dhe pritja nuk mund ta përmirësojë situatën apo kushtet e marrëveshjes. -A do të rrezikohet Marrëveshja e Prespës në qoftë se nuk marrim datë për start të negociatave me BE-në?“, deklaroi Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Sipas Mariçiqit kjo është një tezë shumë e rrezikshme.

“Nëse pohojmë se Marrëveshja e Prespës është lidhur pa prodhuar rezultate, kjo nuk përputhet me të vërtetën. Ne, pasi e arritëm Marrëveshjen e Prespës na u hapën shumë dyer. Fillimisht u hap dera për anëtarësim në NATO, e nëse dikush tenton të relativizojë dhe të thotë ç’rëndësi ka nëse jemi ose s’jemi pjesë e NATO-s, unë do të përgjigjesha me një pyetje shumë të thjeshtë – nëse nuk është me rëndësi, pse atëherë Finlanda dhe Suedia kërkojnë të anëtarësohen në NATO? Pse vende të këtilla të zhvilluara të cilat janë shembull ose model për shumë çështje, do të kërkonin të hynin në NATO?!“, pohoi Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Hapja e negociatave është interes strategjik edhe për BE-në, jo vetëm për ne, përfundon Mariçiqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu