Kryeministri Rama në seancën e sotme në Kuvend ‘thumboi’ Sali Berishën, kur e pyeti, ‘n’ mundsh a e kalon Oqeanin?’ duke lënë të kuptohet se ambasada i ka hequr vizën për në SHBA. Gazetari Artan Hoxha u shpreh në Report Tv se sipas burimeve, Berishës dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në SHBA.
“Ka pasur një lajm që ka qarkulluar që para dy javësh që ka një vendim nga DASH. Vendimin e merr DASH, në të gjitha rastet e deri tanishme e merr ky institucion. Është folur se është marrë një vendim edhe për ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Por në rastin konkret kjo qarkullonte si një lajm i pakonfirmuar. Në seancën e së hënës në parlament, nëse e kujtoni Rama bëri një insinuatë, i tha Berishës që të ka trullosur mesazhi që të ka ardhur, por nuk e vazhdoi më tej. E tha, mesazhi që të ka ardhur, ti e di nga të ka ardhur. Kjo është gjuha e koduar që përdorin politikanët.
Tani, sot kryeministri bëri kriptimin, publikoi atë që e hodhi javën e kaluar dhe pyetja që iu bë Berishës, n’ mundsh a e kalon Oqeanin? Duke lënë të kuptohet që SHBA e ka ndaluar udhëtimin e Berishës. Gjëja që më bëri të dyshoj ishte reagimi i Berishës, shpjegimi që nuk udhëton se nuk përfaqëson më zyrtarisht PD-në. Rama i tha ti ke qenë në Bundestag. Informacioni është që DASH ka bërë një listë, që politikanët shqiptarë nuk do ta kenë kaq të lehtë këtë radhë. Cdo njeri që ka penguar reformën në drejtësi do të ketë masa. DASH e ka bërë publik vendimin në rastet e kaluara, ne nuk e kemi marrë vesh ditën kur është marrë. Burime thonë se ky vendim është marrë, por ne nuk e kemi parë.










