A munden Haaland apo Lewandowski të thyejnë rekordin historik të Leo Messit?

Futbolli aktual evropian është në diktatin e dyshes Erling Haaland dhe Robert Lewandowski. Norvegjezi dhe polaku janë 9-shet e mëdha të futbollit dhe çdo ditë e dëshmojnë këtë.

Fillimet e tyre me klubet e reja kanë qenë të jashtëzakonshme, dhe të dy kanë hequr çdo dyshim për përshtatjen e tyre të mundshme me kampionatet e reja.

Duke numëruar ndeshjet në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, Lewandowski ka shënuar 11 gola në 8 ndeshje, ndërsa duke llogaritur ndeshjet në Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve, Haaland ka grumbulluar 14 gola në 10 ndeshje.

Sulmuesi i Barcelonës ka një mesatare prej 1.3 gola për ndeshje; ndërsa ai i Manchester Cityt, ka 1.4 gola për ndeshje.

Shifra të frikshme që të bëjnë të mendosh, pse jo, njëri nga ta, ose të dy mund të thyejnë të gjitha rekordeve të regjistruara deri më sot.

Synimi i tyre është rekordi i Leo Messit i vendosur në sezonin 2011/12.

Argjentinasi kishte shënuar 82 gola, një shifër e klasifikuar deri tani si e “paarritshme” dhe e shkruar nga Leo Messi në librat e historisë së futbollit.

Lionel Messi në sezonin 2011/12

50 gola në La Liga
14 gola në Ligën e Kampionëve
3 gola në Kupën e Mbretit
2 gola në Kupën e Botës për Klube
1 gol në Superkupën e Evropës
3 gola në Superkupën e Spanjës
9 gola me Argjentinën
Gjithsej: 82 gola në 2011/12

Ai sezon është shkruar me shkronja të arta, ndërsa në vitin kalendarik (2012), argjentinasi kishte 91 gola.

Nga ata 82 gola të shënuara në sezonin 2011/12 ylli argjentinas, 73 i kishte shënuar me Barcelonën (në 60 ndeshje) dhe 9 me Argjentinën (në 9 ndeshje, duke i llogaritur nga fundi i Kupës së Amerikës atë vit).

Megjithatë, përveç Messit, ka edhe golashënues të tjerë që kanë shënuar shumë gola, por njohja e tyre nuk është plotësisht unanime në bazat ndërkombëtare të të dhënave.

Ata janë Frederick Roberts (96 gola në sezonin 1930/31) ose Joe Bambrick (91 gola në sezonin 1929/30).

Të dyja në futbollin irlandez, përkatësisht me klube si Glentoran dhe Linfield. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu