Për skandalet dhe aferat që përfshinë qeverinë kohëve të fundit duhet të ketë përgjegjësi individuale thekson kreu i Alternativës Afrim Gashi. Në një intervistë për Alsat, Gashi pranon se qeveria përveç kontesteve me fqinjët nuk ka arritur t’i zgjidh problemet reale të qytetarëve.
Pavarësisht këmbënguljes së opozitës ai thotë se zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë pa u përmbyllur më parë proceset euro-atlantike të vendit, respektivisht pasi vendi të marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në në vjeshtë dhe anëtarësimit të plotë në NATO.
Pas rrumbullakimit të këtyre proceseve Gashi nuk përjashton mundësinë e braktisjes së qeverisë.
Kryeministri Zaev si duket po e humb besimin tek partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës, sidomos bazuar në kritikat e opinionit që kjo qeveri ka dështuar në rrafshin ekonomik. Gjatë rikonstruimit, kryeministri Zaev largoi nga koalicioni qeverisës partinë shqiptare RDK pa asnjë konsultim paraprak.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike thonë se kryeministrin Zaev e mbanë BE dhe SHBA, ndryshe ky koalicion qeverisës që moti do të ishte shkatërruar. Sipas tij me përmasa dramatike do të ishte nëse BDI do të dilte nga qeveria, dhe jo partitë “opozitare” që janë pjesë e qeverisë.
“Zaevin e mban BE dhe ShBA, përndryshe që moti ky koalicion do të ishte shkatërruar.Koalicioni nuk është parimor dhe është i ndërtuar nga faktori i jashtëm dhe padyshim se mund të lëkundet.Partitë opozitare në koalicionin e tij kanë më tepër përfitime në pozita dhe financa dhe do të ishte shumë vështirë të dalin nga qeveria.Do të ishte zhvillim me përmasa dramatike nëse BDI e Ali Ahmetit do të vendoste të dilte nga qeveria pas humbjes së fuqisë në koalicionin e Zaevit dhe përgjimeve të fundit ku shpalosen keqpërdorime me buxhetin, emërimet në pozita dhe tendenca tjera negative nga zyrtarë të lartë të BDI- së. Në koalicione të tillla me kompozime të ndryshme etnike , forca politike nuk qëndron më tek lideri por tek grupet e intersit ashtu siç e shohim tek qeveria e Zaevit”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Selim Ibraimi.
Ndryshe, edhe nëse Alternativa që i ka tre deputet do ta braktiste qeverinë, prap kryeministri Zaev do të kishte shumicë parlamentare prej 62 deputet, gjegjësisht 49 LSDM, 10 BDI, 2 PDSH dhe Amdi Bajram që braktisi koalicionin me VMRO-në dhe kaloi në LSDM, por një gjë është e sigurt se në rast largimit të partisë së Afrim Gashit, kjo qeveri bëhet edhe më jostabile për sa i përket numrave në Kuvend.










