A po goditet UÇK-ja nga akuzat e Speciales? Ja ç’mendon njeriu i Brukselit në Kosovë

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, tha se Bashkimi mbështet fuqimisht punën e Gjykatës së Specializuar të Kosovës, me qendër në Hagë, veçanërisht faktin që ajo punon në mënyrë të pavarur, pa ndonjë ndërhyrje të jashtme.

Në një intervistë për Kosova Online, ai theksoi se bashkëpunimi i plotë me këto institucione është thelbësor si demonstrim i përkushtimit të Kosovës për sundimin e ligjit.

“Eshtë e rëndësishme të kihet gjithnjë parasysh se Këshillat e Specializuar nuk do të mbajnë si përgjegjës grupet etnike, organizatat ose komunitetet, por vetëm individët,” tha Szunyog, duke lënë të nënkuptuar se nuk po akuzohet UÇK, apo shqiptarët, por individë të veçantë.

Ai vuri në dukje se në këtë kontekst, bashkëpunimi midis autoriteteve të Kosovës mbetet vendimtar, për të demonstruar përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe gatishmërinë e saj për t’u përballur me të kaluarën e saj.

I pyetur se si e shikon mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes mbi krijimin e Bashkimit të Komunave Serbe (ZSO), kreu i Zyrës së BE tha se një diskutim mbi ZSO nuk mund të shmanget nëse do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Serbisë Kosova.

Duke folur për projektin “mini Schngen”, Szunyog tha se në samitin në Sofje në fillim të këtij muaji, kryeministri i Kosovës, së bashku me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nënshkruan një deklaratë të rëndësishme mbi krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

“Ky është një lajm i mirë për të gjithë rajonin, dhe posaçërisht për Kosovën. Kompanitë dhe qytetarët do të përfitojnë progresivisht nga tarifat e reduktuara bankare ndërkufitare, heqja e pengesave teknike në tregti, harmonizimi i politikave të investimeve, njohja e kualifikimeve profesionale në rajon, inkurajimi i tregtisë elektronike,” tha Szunyog.

Ai deklaroi se BE po mbështet në Qeverinë e Kosovës për të promovuar dhe zbatuar planin e veprimit të dakorduar i cili krijon një treg të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu