A po i afrohet Tirana një skenari ekstrem: Ushtria në rrugë?

Tirana po përjeton orë të rënda. Përplasjet në rrugë, djegiet dhe sulmet ndaj pronës private po e zhvendosin vëmendjen nga konflikti politik te një shqetësim shumë më serioz: siguria publike.

Pamjet e dhunës dhe vështirësitë e dukshme të policisë për të parandaluar përshkallëzimin, krijojnë përshtypjen se situata po i rrëshqet gjithnjë e më shumë nga duart institucioneve.

Nuk bëhet më fjalë vetëm për menaxhimin e një proteste të tensionuar. Kur sulmohen biznese, dëmtohet prona dhe qytetarët ndihen të pasigurt, kriza merr përmasa të tjera.

Çdo episod i ri dhune rrit rrezikun e përhapjes së mëtejshme të saj, ndërsa vë në pikëpyetje aftësinë e shtetit për të garantuar rendin.

Shqetësimi është shtrirë edhe në sektorin privat. Organizata dhe shoqata biznesi, përfshirë përfaqësues të sektorit bankar, kanë reaguar të alarmuar nga sulmet ndaj sipërmarrjeve dhe dëmtimi i pronës.

Reagimet e tyre tregojnë se pasojat e dhunës nuk kufizohen te përplasjet në rrugë, por prekin edhe funksionimin e ekonomisë dhe besimin se institucionet janë në gjendje të mbrojnë aktivitetin e ligjshëm.

Kur bizneset bëhen objekt sulmi, shteti vihet përballë një prove themelore: a mund të garantojë jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve? Nëse përgjigjja vihet në dyshim, pasiguria përhapet shumë përtej zonave ku zhvillohen protestat.

Në këto kushte, mundësia e angazhimit të ushtrisë për rivendosjen e rendit nuk mund të trajtohet si një skenar krejtësisht i pamundur. Por përdorimi i Forcave të Armatosura nuk është një vendim që kryeministri Rama mund ta marrë sipas vullnetit të tij, aq më pak për të zgjidhur një konflikt politik.

Ç’parashikon Kushtetuta?

Neni 173 i Kushtetutës parashikon se, kur rrezikohet rendi kushtetues ose siguria publike, Këshilli i Ministrave mund t’i kërkojë Kuvendit shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ajo mund të vendoset në të gjithë territorin e vendit ose në një pjesë të tij, fillimisht për një periudhë jo më të gjatë se 60 ditë.

Megjithatë, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të thotë se ushtria mund të nxirret automatikisht në rrugë. Kushtetuta përcakton se përdorimi i Forcave të Armatosura për rivendosjen e rendit kërkon vendim të Kuvendit dhe lejohet vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta përmbushin këtë detyrë.

Pra, Edi Rama mund të vërë në lëvizje qeverinë për të ndjekur procedurat përkatëse, por nuk mund ta zëvendësojë vendimin e Kuvendit me një urdhër personal për angazhimin e ushtrisë. Këto kufizime janë garanci kundër përdorimit arbitrar të forcës ushtarake në një situatë të brendshme politike.

A po e humbet policia kontrollin e situatës?

Pikërisht këtu qëndron shqetësimi kryesor. Policia po shfaq vështirësi të dukshme në menaxhimin e rendit publik dhe në parandalimin e episodeve të dhunës.

Sulmet ndaj pronës dhe përshkallëzimi i përplasjeve ngrenë pikëpyetje serioze për efektivitetin e masave të marra deri tani. Kjo nuk do të thotë se çdo protestë e dhunshme justifikon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Policia duhet të dallojë protestuesit paqësorë nga autorët e akteve të dhunës, të mbrojë qytetarët dhe bizneset, të mbledhë prova dhe të sigurojë që përgjegjësia penale të jetë individuale.

Por autoritetet duhet gjithashtu të shpjegojnë se çfarë po bëjnë për të parandaluar sulme të tjera dhe nëse kanë kapacitetet e nevojshme për ta përballuar situatën. Nëse dhuna përsëritet dhe siguria nuk garantohet, deklaratat se gjithçka është nën kontroll nuk do të mjaftojnë për të bindur qytetarët.

Edhe politika duhet të kuptojë se kriza nuk mund të zgjidhet vetëm me akuza, deklarata sfiduese apo pritshmërinë se tensionet do të shuhen vetvetiu. Çdo ditë me përplasje të reja rrit rrezikun që situata të dalë edhe më shumë jashtë kontrollit.

Burime pranë mazhorancës, kanë shprehur bindjen se nuk do të arrihet deri te nxjerrja e ushtrisë, pasi policia ka forca të mjaftueshme për të rivendosur rendin. Por këtë do ta përcaktojnë zhvillimet në terren, jo deklaratat politike.

Angazhimi i ushtrisë do të ishte një zhvillim jashtëzakonisht serioz. Forcat e Armatosura nuk duhet të shndërrohen në instrument për zgjidhjen e konflikteve politike apo për të mbuluar dështimet e institucioneve civile.

Çdo ndërhyrje duhet të mbështetet në ligj dhe të jetë e domosdoshme e proporcionale me rrezikun. Shqipëria nuk ka nevojë për një krizë të re institucionale, aq më pak për një skenar ku ushtria përballet me qytetarët.

Ajo ka nevojë për një polici që garanton sigurinë dhe për një klasë politike që merr përgjegjësi për uljen e tensioneve. Nëse institucionet nuk arrijnë ta frenojnë përshkallëzimin, diskutimi për gjendjen e jashtëzakonshme mund të bëhet gjithnjë e më konkret.

Por zgjidhja nuk është të pritet deri në momentin kur ushtria të paraqitet si alternativa e fundit. Zgjidhja është veprimi në kohë, përpara se dhuna të marrë përmasa që askush nuk do të jetë më në gjendje t’i kontrollojë. \tesheshi.com\


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu