Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut në Romë: Institucione të forta për zbatimin e rregullave ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka theksuar rëndësinë e institucioneve të forta dhe rolit të parlamenteve në garantimin e zbatimit të qëndrueshëm të së drejtës ndërkombëtare, në një kohë të pasigurisë së shtuar dhe sfidave komplekse gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomike, transmeton Anadolu.

Gashi ka mbajtur fjalim në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve dhe Sekretarëve të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila po mbahet më 15 dhe 16 tetor në Romë, me temën “Rivendosja e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla: roli i parlamenteve në përballjen me krizat bashkëkohore dhe reagimin ndaj tyre”.

Para homologëve të tij, Gashi ka theksuar se e drejta ndërkombëtare është parakusht kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtave të shteteve, si dhe përcaktimin e rregullave të qarta në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai ka vënë në pah rolin e parlamenteve në mbikëqyrjen demokratike, legjitimimin e detyrimeve ndërkombëtare dhe nxitjen e dialogut e bashkëpunimit.

Duke folur për rolin e Këshillit të Evropës, Gashi ka vlerësuar kontributin e organizatës në avancimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e diplomacisë parlamentare për forcimin e besimit të ndërsjellë, thellimin e dialogut ndërparlamentar dhe zhvillimin e partneriteteve afatgjata të bazuara në bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.

Gashi ka nënvizuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe veprimeve të koordinuara për forcimin e qëndrueshmërisë kolektive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, ekonomike dhe sociale.

Ai ka përfunduar se, përmes dialogut të hapur, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes së ndërsjellë, parlamentet mund të kontribuojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë, si dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në interes të qytetarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu