Abazoviq: Nëse i mbijetojmë votëbesimit, do të shkojmë në riformatim dhe do të kemi qeveri teknike në Mal të Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se nëse nuk e humb besimin në parlament, do të fillojë riformatimin e kabinetit të tij. Nëse, thotë ai, formohet një shumicë e re, mund të pritet që ajo të kryejë procese të reja.

Ai gjithashtu shpjegoi se riformatim i Qeverisë së Malit të Zi nënkupton që kryeministri të mbetet i njëjtë, “Kjo mund të mos jetë shpjeguar sa duhet për qytetarët. Nëse kryeministri jep dorëheqje ose nëse zëvendësohet qeveria, Presidenti i Malit të Zi duhet t’ia japë mandatin dikujt tjetër”.

“Për sa kohë që mandati është në dorën e kryeministrit, qytetarët mund të jenë të qetë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në momentin që mekanizmi i kalon presidentit të shtetit, kryetarit të DPS-së, përgjegjësia për gjithçka që pason i takon atij”, tha Abazoviq para gazetarëve në parlament.

Iniciativa për shkarkimin e tij ka nisur, thotë ai, në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, “nëse dikush mendon se duhet ta anulojmë atë, të kthehemi prapa, kjo është në rregull për mua. Kjo flet për qëndrimin e atyre njerëzve ndaj asaj që ndodhi”.

Qeveria e pakicës, siç tha ai, nuk ekziston më, “nëse qeveria mbijeton dhe ne shkojmë në riformatim, do të jetë një qeveri teknike që duhet të përgatisë zgjedhjet”.

Ai tha se qeveria ka marrë vendime historike për vendin, të cilat do të shihen vetëm në periudhën e ardhshme, raporton rtcg.

Ai thotë se nuk është kryeministër që i fsheh gjërat nën qilim, por përkundrazi e ka “përmbysur tapetin që në ditën e parë” dhe se i ka hedhur problemet në tavolinë dhe është përpjekur t’i zgjidhë.

“Ose do të shkojmë përpara, ose do të lëngojmë në vend. Ky është vendimi sot në Parlamentin e Malit të Zi. Kushdo që do të shkojë përpara, vendimi është i lehtë për të”, tha Abazoviq.

Ndryshe, 36 deputetë kanë paraqitur mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së Malit të Zi ndërsa nevojiten 41 që të votojnë për largimin e Abazoviqit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu