Aborti dhe martesat gay “s’pijnë ujë”, Hollanda prap “Jo” Shqipërisë, po Franca?

Duket se letra që gratë ministre të Ramës i dërguan Hollandës me lutjen për hapjen e negociatave, deri dhe duke e mikluar për lejimin e abortit e martesave mes homoseksualëve, nuk kanë patur asnjë efekt. Nga Amsterdami ka ardhur sërish një “Jo” e palëkundur për moshapjen e negociatave.

Ka qenë ministri i Jashtëm Stef Blok ai që në prag të nisjes së mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg, e bëri të qartë dhe njëherë qëndrimin mbi Shkupin e Tiranën, gadishmërinë për të parin vetëm me një kusht, e mosgadishmërinë për të dytën.

“Qëndrimi hollandez është se çdo vend duhet të vlerësohet në bazë të meritave. Të dyja vendet kanë bërë shumë përpjekje. Lidhur me Maqedoninë e Veriut ne konsiderojmë se duhet të ndërmerret një hap i rëndësishëm siç është ligji për Prokurorinë Speciale dhe nëse ky kusht përmbushet atëherë ne mendojmë se negociatat e anëtarësimit mund të fillojnë. Lidhur me Shqipërinë, ne mendojmë se ka ende punë për të bërë dhe se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave”, tha kreu i diplomacisë hollandeze.

Nga ana tjetër, Franca, një tjetër vend spekptik, nuk ka qenë kaq e prerë. Ministrja e Jashtme Amelie de Montchalin, ka tentuar të zbërthejë pse Parisi po ka qëndrim të ftohtë, që jo domosdoshmërisht përkthehet si politikë kundër zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Procesi i zgjerimit është zhgënjyes, i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare, sepse tretet në kohë. Pra, së pari, ne duhet të diskutojmë mbi reformën e procesit të zgjerimit. Kapitujt që hapen e mbyllen si një telenovelë pa fund nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në rajon. Ne kemi parë fluks migracioni nga vendet që kanë përfunduar negociatat dhe janë bërë anëtare, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia. Pra, është një çështje qasje mbi procesin. A është ky proces efikas? Përgjigjja është jo dhe ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje lidhur me riorganizimin e negociatave të anëtarësimit. Së dyti, duhet të sigurohemi se reformat që janë kërkuar për t’u zbatuar si kushte për hapjen e negociatave të jenë reale. Që të jenë votuar, por edhe zbatuar. Këtë do diskutojmë sot, Por, dua të theksoj, se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit”, u shpreh de Montchalin. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu