Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të rezidencës Studentore Universitare nr. 2, tregoi si qëndron e vërteta e strehimit të afganëve në këto ambiente.
Ai tha se duke qenë se mbërritja e tyre në vend po shtyhet, ndoshta nuk do të jetë e nevojshme që afganët të strehohen nëpër konvikte. Por megjithatë sipas tij, këto struktura duhet të jenë gati.
Rama theksoi se studentët nuk do të preken nga këto godina dhe se strehimi i refugjatëve do të jetë i përkohshëm, për t’u vendosur më pas në struktura të posaçme të caktuara më herët.
“Këtu është pjesa ku përkohësisht do vendosen afganët. Megjithëse po shtyhet ardhja e tyre për shkak të shtyrjes së fluturimeve. Mund të ndodhë që mund të mos nevojiten nëse lirohen strukturat hoteliere pas përfundimit të sezonit. Nuk bëhet fjalë që të ikin studentët për të sjellë afganët këtu. Dhe e dyta që është me rëndësi është që mund të vijë momenti që vaksinimi të jetë me detyrim”, u shpreh Rama.









