Agim Vinca, lutje Hashim Thaçit

LUTJE PËR KOSOVËN

Agim Vinca

(Deklaratë e Prof. dr. Agim Vincës me rastin e marrjes së dekoratës “Urdhri i Pavarësisë” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë e mbajtur në Shkup më 21 nëntor 2016)

Kosova e lirë dhe e pavarur ka qenë ëndërr jona, brez pas brezi. Të gjithë ne së bashku dhe secili veç e veç jemi përpjekur, me mundësitë tona, të japim kontributin tonë në luftën për çlirimin e Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit të saj.

Shqiptarët e Maqedonisë e kanë pasur gjithmonë model Kosovën, ashtu siç e ka motra më e vogël të madhen dhe nuk janë kursyer kurrë për të, duke u vënë në shërbim të saj, sidomos nga vitet ’90 e këndej, kur gjendja në Kosovë u bë emergjente dhe sidomos kur filloi lufta çlirimtare dhe ndodhi eksodi biblik i vitit 1999.

I dëgjon shpesh të thonë: nga Shkupi në Dibër, nga Tetova në Strugë e kudo tjetër në këto troje ku flitet, këndohet dhe vajtohet shqip: ia kemi borxh Kosovës! Është gjuha e dashurisë dhe e përkushtimit vëllazëror të shqiptarëve të këtushëm jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Shqipërisë, pjesë e së cilës ata kanë qenë historikisht dhe pa të cilat nuk mund ta mendojnë të ardhmen e vet.

Republika e Kosovës sot është shtet i pavarur dhe kjo nuk është pak; është pa dyshim një arritje e madhe, historike. Por sovraniteti i saj, për arsyet që dihen, as kaq vjet pas shpalljes së Pavarësisë, nuk është i plotë: Republika e Kosovës nuk e ushtron sovranitetin e saj në tërë territorin e vet. Fatkeqësisht! Shtetet, natyrisht, nuk krijohen lehtë; ndërtimi i shtetit është proces i gjatë e kompleks, që nuk varet vetëm prej nesh. Por kjo nuk e amniston askënd dhe aq më pak njerëzit që janë në krye të institucioneve shtetërore, nga përgjegjësia për lëshimet dhe gabimet e bëra. E fituam lirinë, me mund e sakrifica të mëdha, por nuk u sollëm si duhet në kushtet e lirisë ose, thënë me një fjalë të huaj, ndërkombëtare, që na e sollën ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë: nuk e menaxhuam si duhet lirinë tonë!

Nuk është se Kosova nuk ka arritje, por zhvillimi i saj, në të gjitha fushat e jetës, lë për të dëshiruar dhe si i tillë është nën nivelin e kapaciteteve që ka ky vend me pasuri jo të vogla tokësore e nëntokësore dhe me pasurinë e tij më të madhe: popullatën më të re Evropë.

Jemi në një ceremoni solemne dhe nuk është vendi të flitet për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova sot, që janë të shumta e gjithfarëshe, por nuk mund të mos shprehim me këtë rast, pa frikë se po thyejmë rregullat e mirësjelljes, edhe ndonjë nga shqetësimet që janë bërë pjesë e jetës së përditshme në Kosovën tonë të dashur. Sepse, përderisa në Kosovë, djemtë e rinj, qoftë edhe një i vetëm, vdesin në burg si dikur, askush nga ne nuk mund të jetë i qetë.

Është detyrë e çdo njeriu, e çdo qytetari, e aq më shumë intelektuali, ta ngrejë zërin kundër dukurive negative në shoqëri, jo për inate a interesa personale, por për të mirën e përgjithshme. Nuk dua të flas këtu për gjendjen në të cilën i kemi shkollat, spitalet, universitetet, arsimin, kulturën, shkencën, shëndetësinë, ndërmarrjet, fabrikat, të rinjtë, të moshuarit, por kjo gjë na imponohet vetvetiu, ashtu siç na vijnë në mend pa dashje fjalët, që për fat të keq janë bërë familjare në mjedisin tonë: papunësi, korrupsion, nepotizëm, shpërdorim i pushtetit, pasurim i paligjshëm, krim, ekstremizëm, trafikim e prostitucion dhe forma të tjera të degradimit moral, që e bëjnë të zymtë perspektivën e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe kosovare në veçanti.

Nuk kemi thënë asgjë të re nëse themi se ëndrra është gjithmonë më e bukur se realiteti, por është tragjike thënia e autorit të Hasta la vistës, shkrimtarit Petro Marko, se: “më mirë është të vdesësh duke ëndërruar sesa të shohësh si vdes ëndrra”! Ne që jemi në këtë sallë, pjesa dërrmuese, në mos të gjithë, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi idealistë dhe ëndërrimtarë. Këtu ka djem që në moshë të re rrokën armët dhe u radhitën në radhët e UÇK-së; disa syresh ranë në altarin e lirisë; ka veprimtarë politikë që vepruan në organizatat çlirimtare ilegale, brenda e jashtë dhe politikanë që kanë vepruar e veprojnë në subjektet politike legale; ka njerëz të biznesit, që nuk e kursyen kapitalin e tyre për të ndihmuar rezistencën paqësore dhe luftën çlirimtare; ish-të burgosur politikë, që e kaluan rininë në burgjet jugosllave për hir të idealeve kombëtare; ka njerëz të artit dhe të shkencës, artistë e shkrimtarë dhe intelektualë e profesorë me syze e mjekra si puna ime, që kanë dhënë kontribut për dekada me radhë jo vetëm në arsim, shkencë e kulturë, por edhe në krijimim e ndërgjegjes kombëtare dhe në avancimin e çështjes shqiptare, zgjidhja e së cilës, mjerisht, ende nuk ka marrë fund.

Shqiptarët e Maqedonisë nuk e kursyen për Kosovën as dijen, as paranë, as djersën dhe as gjakun, e aq më pak bujarinë, të bindur se ashtu i ndihmonin jo vetëm vëllezërit e vet, por edhe veten e tyre. Në shërbim të projektit të Kosovës së Pavarur dhe Idesë së Madhe të Bashkimit Kombëtar, ata vunë tërë energjitë dhe potencialin e vet. Jam i bindur se ky angazhim nuk do të mungojë as në të ardhmen – për të mirën e Kosovës dhe të mbarë Kombit Shqiptar dhe aspak kundër fqinjëve tanë, me të cilët na ka rënë në hise të bashkëjetojmë ose të jetojmë pranë.

Veçse të gjithë neve në Ballkan, na duhet një “Mehr Licht!”, siç do të thoshte Gëtja i madh. “Mehr Licht!”(Më shumë dritë). Më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi!

Dhe fare në fund, edhe një herë, Ju faleminderit e nderuara Presidencë dhe i nderuari President i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi, që na mblodhët sot në Shkup për të na nderuar me këto mirënjohje, por edhe për mirëkuptimin me të cilin i dëgjuat këto fjalë të frymëzuara nga qëllimi i mirë për ta parë Kosovën ashtu siç e duam të gjithë ne dhe në radhë të parë ata që jetojnë në Kosovë: qytetarët e saj, por edhe miqtë tanë në botë. Vetëm atëherë kur Kosova të bëhet shtet sovran në kuptimin e plotë të fjalës, pra shtet me sovranitet të plotë, së paku aq sa shtetet e tjera të rajonit dhe vend i vlerave dhe i respektimit të integritetit dhe dinjitetit të njeriut, vetëm atëherë nderimi që na bëhet neve sot do të jetë i vërtetë dhe kuptimplotë!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu