Albin Kurti: Po përpiqemi për krijimin e Qeverisë së re, që do marrë drejtim javën që vjen

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar detaje lidhur me takimin që zhvilloi sot në Prishtinë me zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Europian, Josep Borrell Fontelles.

Kurti përmes facebook-ut, ka thënë se me Borrell kanë diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvilluar nën drejtimin e BE-së, njofton Klan Kosova.

”Sot e mirëpritëm në Prishtinë përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë/zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Evropian, z. Josep Borrell Fontelles.

Diskutuam për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvilluar nën drejtimin e BE-së. E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë. Duhet të rishikojmë dhe vlerësojmë cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme para se të negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshje të reja. Nuk duhet të vonohemi, por edhe nuk mund të ngutemi.

Dialogu duhet të jetë për çështjet e pa adresuara e të pa zgjidhura, duhet të jetë i përgatitur dhe parimor. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo duhet të jetë premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje”.

Në këtë reagim të Albin Kurtit, lidhur me agjenden e tij të sotme, përmendet edhe përpjekja për krijimin e qeverisë që sipas tij do të marrë drejtim javën e ardhshme, njofton Klan Kosova.

”Ne besojmë në fuqinë e Bashkimit Evropian për t’u bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për të mirën e përbashkët. Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë është në interes të gjithë rajonit.

Gjithashtu e njoftova z. Borrell edhe me përpjekjet për krijimin e qeverisë së re e cila do të marrë drejtim në javën që vjen. Drejtësia e shtetit me sundim të ligjit dhe zhvillimi ekonomik me punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë do të jenë prioritet yni”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu