Kandidati për kryeministër të vendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit, sipas rezultateve preliminare i ka fituar zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit për Kuvendin e Kosovës, ka folur për bisedimet që pritet t’i zhvillojë me figurat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka dalë e dyta, për formimin e një koalicioni qeverisës.
Kurti ka thënë në KTV se ka kërkuar që të takohet menjëherë me kreun e LDK’së, Isa Mustafa, dhe me kandidaten e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.
Por, sipas Kurtit, zyrtarët e lartë të LDK’së nuk kanë pranuar të takohen menjëherë, dhe se ky takim, ka paralajmëruar ai, sipas gjasave do të zhvillohet pas dy ditësh – të enjten.










