Ambasada Britanike i reagon Vuçiqit për flamurin kuqezi në zyrën e Albin Kurtit

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për flamurin kuqezi në zyrën e Albin Kurtit.

Në reagimin e saj kjo ambasadë thotë se është punë e tyre që të punojnë me aktorë udhëheqës politikë në Kosovë, dhe nuk zgjedhin se si bashkëbiseduesi rregullon dhomën, njofton Klan Kosova.

”Një foto e Ambasadorit në takim me një nga udhëheqësit politik në Kosovë ka marrë vëmendje në rajon. Është punë e ambasadës që të punojë me akterë udhëheqës politik në Kosovë. Ne nuk kemi zgjedhur se si bashkëbiseduesi ynë, në kapacitetin e tij partiak, ka rregulluar dhomën”.

Reagimet e Aleksander Vuçiq erdhën pas një takimi që ka pasur në Prishtinë, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abott, me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kreun e shtetit serb e kishte nxitur fotografia që është publikuar pas takimit, ku në prapavijë të ambasadorit Abott dhe Kurtit shihet flamuri shqiptar.

Vuçiq ka pyetur ambasadorin Abott se në cilin shtet i ka fituar zgjedhjet Albin Kurti, dhe ka thënë se do të vazhdojë ta bëjë këtë pyetje derisa të marrë një përgjigje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu