Anglezi “vlla”, e turku “shka”

Nga: Xhevdet Pozhari

Para ekraneve u ngujuan i madh e i vogël për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Angli, të cilës i parapriu një atmosferë vëllazërore. Së paku sa i përket vendit nikoqir. Shumica e tifozëve anglez, deri mbrëmë, as që mund t’ia kenë pasur idenë se ku ndodhet Kosova. Por, ne dimë shumë për shtetin që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, për shtetin i cili u revoltua kundër Bashkimit Evropian dhe kërkoi largimin nga kjo organizatë derisa ne mezi presim liberalizimin e vizave.

Mbrëmë përtej lojës midis dy ekipeve, ku qysh në start dihej fituesi, ballafaqoheshin dy ekstreme të Evropës: një shtet i izoluar dhe i varfër kundrejt një shteti që e ruan me krenari traditën e tij monarkiste. E njëjta s’mund të thuhet për disa nga ne që arritëm deri ne atë masë sa i nisem t’i thërrasim “bro” (lexo:brother-vëlla) ata për të cilët kishim krijuar një ide surreale të bazuar kryekëput në perceptimin e botës digjitale. Madje, disa nga ne tentuan të vëllazërohen brenda natës me tifozët e një shteti që ndoshta për herë të parë e kuptonin se ekziston Kosova. Por, njohja me shtetin e Kosovës është veç mënyra se si ata mund ta kenë parë realitetin, por për hesapin e “bro-ve” kosovarë, tifozët do të duhej ta njohin Dua Lipen, Rita Oren dhe duhej të jenë të informuar se ne jemi vendi i tyre i origjinës. Ata kishin ardhur për fitore të ekipit të tyre, tifozët më problematikë të Evropës, ndërsa ne i prisnim si vëllezër, ashtu siç i ka hije mikpritjes shqiptare – do të thoshin kosovarët “open-minded”, duke dashur të fshehin të vërtetën e dhimbshme të servilizmit, të nënshtrimit që instinktivisht një masë e madhe e ndjen kundrejt një shteti të zhvilluar që së fundmi u rebelua edhe ndaj Evropës.

Mbrëmë të krijohej përshtypja se Kosova nuk luan ndeshje kundër Anglisë, por kundër Shqipërisë. Atmosfera vëllazërore që do të duhej të ndjehej në rast se do të ballafaqoheshin këto dy ekipe, u ndje në ndeshjen kundër shtetit, në kryeqytetin e të cilit – Londër, saktë 100 vite më parë, u vendos për copëtimi e trojeve shqiptare. Gjysma e trojeve të atëhershme, ngelën jashtë trungut të Shqipërisë, përfshirë edhe Kosovën, e cila mbrëmë priste me eufori dhe entuiziazëm përfaqësuesen e shtetit që kishte vulosur marrëveshjen ku ngopeshin apetitet e fqinjëve sllavë, duke bërë që shqiptarët të jenë i vetmi popull që kufizohet me vetveten.

Kosova ka luajtur ndeshje futbolli edhe ndaj Shqipërisë, por në vend të frymës vëllazërore që mbretëroi mbrëmë, më të zëshëm ishin ata që bënin diferencimin “shqiptar” dhe “kosovar”, shpikësit e një kombi të paqenë të cilin mbrëmë e bënë vëllamth me Anglinë. Ata që duan të mos flitet për historinë se kur dhe ku u vulos ndarja ndër-shqiptare, por të cilët e mbajnë mend vetëm kohën e Perandorisë Otomane! Pra, ata që përdorin standarde të dyfishta edhe kur në pyetje është historia dhe një shtet me ngulm duan ta shpallin vëlla, ndërsa ata që shkaku i afërsisë i thërrasin vëllezër – Turqinë, e shohin me sytë e kiametit, duke e barazuar edhe me vetë Serbinë.

Pra, tek ne ende jehon frika nga “fermanët e Sulltanit”, por i kemi shurdhuar veshët kundrejt kambanave të Londrës, Parisit, Versajës e Berlinit kur përfundimisht u vendos copëtimi i Shqipërisë. Aq të shurdhër tregohemi ndaj këtyre këmbanave, sa anglezin disa e shpallin “bro”, e shqiptarët e Shqipërisë i ndjejnë si një e kaluar e largët me të cilët nuk duhet të kemi asnjë të ardhme. Kjo jo pse nuk e dimë se çfarë jemi ndërmjet vete, po ngaqë kemi nisur të sillemi si një “nuse” të cilës më shumë se mosha e “dhëndrrit”, i intereson thellësia e kuletës së “vjehrrit”!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu