Aprovohen ndryshimet në buxhet, 36.4 milionë euro për zonat e përmbytura në Shkup dhe Tetovë

Deputetët e kuvendit kanë votuar me shumicë absolute për ndryshimin e buxhetit të shtetit për vitin 2016, Me ndryshimet e bëra parashikohen 36.4 milionë euro për zonat e përmbytura në Shkup dhe Tetovë. Për ndryshimet e kërkuara nga qeveria votuan 82 deputetë, mes të cilëve edhe deputetë opozitarë.

“Në buxhetin e Republikës së Maqedonisë dhe buxhetet e komunave, planifikohen mjete si rezerva për largimin e efekteve të katastrofave natyrore, epidemive dhe katastrofave ekologjike. Me ndryshimet dhe plotësimet në buxhetin, për vitin 2016 sigurohen mjete shtesë në vlerë prej 2miliardë e 240 milion denarëve, për rezerva të përhershme në tejkalimin e efekteve prej fatkeqësisë natyrore”, tha Kërste Minovski.

Grupi parlamentar i LSDM-së e përkrahi këtë rebalanc të buxhetit mirëpo siç tha deputeti i tyre, Marjanço Nikollov, LSDM-ja bashkë me opozitën kërkon nga Ministria e Financave që sa më shpejt të shpërndahen paratë në adresë të qytetarëve nga rajonet e vërshuar në Tetovë dhe Shkup.

“LSDM-ja bashkë me partnerët e koalicionit vendosi që prioritet të ketë, ashtu siç u ka hije të përzgjedhurve nga populli, interesat e qytetarëve dhe vetëm me një vërejtje nga ana ime për rebalancin e buxhetit, me qëllim që prej nesër të filloj pagesa e dëmeve të qytetarëve në Shkup dhe Tetovë”, tha Nikollov.

Për Partinë Demokratike Shqiptare, rebalanci, është marketing parazgjedhor i partnerëve të koalicionit.

“Përveç viktimave, kishim edhe dëme shumë të mëdha materiale, dhe sot, sigurisht të shtyrë edhe nga koha e zgjedhjeve, del në shprehje skajshmërisht pafytyrësia të cilën tenton shumica parlamentare, që arrogancën dhe prepotencën e vet, e cila politikë mori dhe jetë njerëzish, sot na paraqiten si shpëtimtar”, u shpreh Ernad Fejzullahu.

BDI me 19 deputetë e vet, përkrahi pa rezervë rebalancin, i cili sipas Rexhail Ismailit, do t’i zhdëmtoj njerëzit që janë ballafaquar me fatkeqësinë.

“Grupi parlamentar i BDI-së numëron 19 deputet, dhe unë flas në emër të tyre, dhe të gjithë njëzëri do të përkrahim këtë rebalanc të buxhetit. Ky rebalanc do të zhdëmtoj gjegjësisht gjithë ata dëme që janë shkaktu më 6 gusht të këtij viti në fatkeqësinë elementare e cila ndodhi”, tha Rexhail Ismaili.

Edhe VMRO – DPMNE votoi pro rebalancit dhe e emërtoi atë si të “qëllimshëm”

“Definitivisht ky rebalanc është rebalanc i qëllimshëm dhe votohet për dëmshpërblimin e qytetarëve dhe familjeve të dëmtuara në Shkup dhe Tetovë”, tha Kërste Mukoski.

Të ardhurat sipas këtij rebalanci mbeten të pandryshuar, ose më saktësisht në nivel të projektimit prej 174,291,000 denarë, ndërsa të ardhurat prej 195 milionë denarë rriten në 197 milionë. Me këtë rebalanc të buxhetit planifikohen 35 milionë euro shtesë ndihmë për familjet e prekura nga fatkeqësia natyrore në Shkup dhe vitin e kaluar në Tetovë.

Ky është rebalanci i dytë i buxhetit për këtë vit, i pari u votua në korrik./Zhurnal


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu