Armenia thotë se jo të gjitha trupat azere u larguan nga territori i saj, kërkon ndihmë ushtarake nga Rusia

Armenia tha të premten se Azerbajxhani nuk e ka përmbushur në mënyrë të plotë premtimin për tërheqjen e trupave që e kanë kaluar kufirin në një incident të kontestuar dhe tha se ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia.

Gjashtë muaj pas luftimeve më të rënda në dekadat e fundit mes Azerbajxhanit dhe frocave etnike armene, incidenti kufitar i kësaj jave e dëshmoi brishtësinë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia, me anë të të cilin u ndërprenë luftimet në nëntorin e vitit të kaluar.

Armenia e ka akuzuar Azerbajxhanin për dërgimin e trupave përtej kufirit. Azerbajxhani e ka mohuar këtë akuzë dhe ka thënë se forcat e tij vetëm e kanë mbrojtur anën e tyre të kufirit, shkruan Reuters.

Dje u arrit një marrëveshje që sot forcat e armatosura të Azerbajxhanit duhet të largohen nga territori armen. Kjo marrëveshje është përmbushur pjesërisht. Ka territore nga të cilat azerët vërtet u larguan, por pasi marrëveshja nuk u plotësua tërësisht, sot unë kam kontaktuar me presidentin e Rusisë për asistencë ushtarake”, deklaroi kryeministri armen në detyrë, Nikol Pashinian.

Përmes një deklarate rreth kësaj telefonate, Kremlini tha se Putini i ka thënë Pashinianit se marrëveshja e armëpushimit duhet të zbatohet në mënyrë të prerë.

Pas arritjes së armëpushimit vitin e kaluar, Rusia dërgoi trupa paqeruajtëse për ta mbikëqyrur dhe zbatuar gjendjen e qetësisë. Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe lidhje të forta me këtë shtet, por raporte miqësore ka edhe me Azerbajxhanin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu