Arrestimi i Lefter Kokës, reagon Yuri Kim: Nuk mund të fshiheni më

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar pas arrestimit të ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka. Në mesazhin e shpërndarë nga Kim thuhet: Veprimet e SPAK-ut, sidomos këtë javë, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Mund të vraposh, por nuk mund t’i fshihesh më ligjit. Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete.

Është arrestuar me urdhër të SPAK ish-ministri i Mjedisit nga radhët e LSI-së Lefter Koka.

Forcat operacionale kanë mbërritur paraditen e sotme në Durrës, dhe kanë shoqëruar disa persona, mes tyre dhe Kokën, të cilit pritet që ti komunikohet dhe masa e arrestit.

Përveç Kokës burimet saktësojnë se ka dhe disa persona të tjerë të shoqëruar, të cilëve në vijim pritet që t’iu komunikohet edhe akuza.

Arrestimi i Kokës, ka nisur pas hetimeve për dosjen e inceneratorëve, që kanë nisur para disa muajsh nga SPAK.

Hetimet për këtë dosje janë kryer nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.

Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.

Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në vitin 2019.

Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu