Arrestohet “Escobari” shqiptar në Itali

Një 36 vjeçar dhe e dashura e tij është arrestuar nga policia italiane me 22 kg marihuanë dhe hashash të fshehur në një makinë që kishte ardhur nga Shqipëria.

Tashmë në sallën e gjyqit ka dalë gruaja, ndërsa burri pritet të dalë në gjykatë gjatë muajit dhjetor.

Karabinierët zbuluan një makinë të dyshimtë jashtë apartamentit të çiftit, ku edhe është kryer shkarkimi i një ngarkese që më pas rezultoi të ishte drogë. Shtëpia ishte vënë nën vëzhgim prej kohësh.

Pakot e mëdha të drogës ishin ndarë në pako të vogla, duke u fshehur në një dollap në ballkon.

Gruaja fillimisht ka deklaruar se ishte mysafire në banesë, por nuk ka rezultuar kështu pas hetimeve, ndërsa kishte një kartë identiteti false, shkruan “Ilgiorno”.

Megjithëse nuk jepet emrit i tij, mediat lokale italiane shkruajnë se shqiptari ishte angazhuar fuqimisht në trafikun ndërkombëtar të drogës të destinuar kryesisht për në krahinën e Brescia-s dhe në përgjithësi në Italinë veriore, teksa konsiderohet si një prej bosëve më të kërkuar të narkotrafikut në Evropë, transmeton Ora News.

Siç shkruan sot (29 tetor)“Bresciaoggi”, të dhënat hetimore janë të pakta rreth të arrestuarit, me shpresën për të arrestuar edhe anëtarët e tjerë të organizatës që dyshohet të jenë shqiptarë.

Ai konsiderohet si një lloj “Pablo Escobar” i Tiranës, pronar i një zinxhiri klubesh të natës dhe ndërkohë ndodhej nën një urdhër arresti evropian.

Policia i ka gjetur 36-vjeçarit një kartë të rreme identiteti.

Sipas medias lokale, operacioni i koduar “Trafiku i fundit” bëri të mundur arrestimin e tij, i cili ishte fshehur në një dollap, por që u zbulua gjatë kontrolleve.

Hetimet kanë zbuluar se 36 vjeçari ka mbajtur marrëdhënie me eksportues shqiptar të drogës dhe shitës italianë në mes të Brescia, Milanos dhe Bergamos.

Hetimet kanë zbuluar se shqiptarët shtrydhnin marihuanën dhe hashashin në cilindra të posaçëm. Operacioni është ende në vazhdim me shpresën e arrestimeve të tjera.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu