Të punësuarit dhe pensionistët thonë se kjo rritje e të ardhurave mujore prej disa mijë denarë, nuk bën punë dhe nuk përmirëson dukshëm standardin dhe mirëqenien e tyre
Pagat dhe pensionet në dy vitet e fundit janë rritur për disa mijë denarë. Paga mesatare është rritur nga 22.912 denarë në muajin gusht të vitit 2017 në 25.127 denarë në muajin gusht të këtij viti. Nga ana tjetër, pensioni mesatar është rritur nga 13.962 denarë në muajin shtator të vitit 2017, në 14.598 denarë në muajin shtator të këtij viti, shkruan gazeta KOHA.
Gjithashtu, nga 320 mijë pensionistë në shtet, afër 170 mijë pranojnë pensione më të ulëta se mesatarja, ndërsa afër 80 mijë pensionistë pranojnë pensione nën 9000 denarë. Gjithashtu, edhe mbi 150 mijë punëtorë në fabrika me të ardhura mesatare prej 21 mijë denarë marrin më pak se mesatarja e pagës në nivel të shtetit. Andaj, edhe të punësuarit dhe pensionistët thonë se edhe kjo rritje të ardhurave mujore prej disa mijë denarë, nuk bën punë dhe nuk përmirëson dukshëm standardin dhe mirëqenien e tyre.
“Një shkuarje në dyqan ku harxhon 1000 denarë dhe mezi mund të mbushësh shportën me disa nga artikujt themelor ushqimor, e të mos flasim për ndonjë blerje më të madhe. Ku mbetën pagesa e rrymës, telefonit, harxhimet e tjera të përditshme”, vlerëson Suati, një qytetar i Shkupit hendekun e madh midis të ardhurave dhe harxhimeve mujore. Nga ana tjetër, pensionistët thonë se me pensione që nuk arrijnë as 200 euro e kanë të vështirë të kapërcejnë muajin, të paguajnë komunaljen apo ilaçet. Mirëpo shtojnë se në Shkup së paku e gëzojnë të drejtën e udhëtimit falas me autobus.
Në ndërkohë ekonomistët thonë se çdo rritje e pagave dhe pensioneve që nuk buron nga rritja e produktivitet dëmton ekonominë në përgjithësi, por edhe buxhetin e shtetit. “Nuk është ndonjë fshehtësi dhe të gjithë e dinë se rritja e pagave duhet të pasojë rritjen e produktivitetit, në të kundërtën ulet konkurrenca e ekonomisë dhe kemi ndikim negative edhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, vlerëson numri një i punëdhënësve në shtet, Angel Dimitrov.
Sipas tij, rritja e produktivitetit mund të arrihet me motivimin e punëtorëve si dhe me investime në pajisje të punës që do të prodhojnë prodhim konkurruese në tregun e jashtëm që kërkon edhe investime më të mëdha nga ana e sektorit privat. Nga ana tjetër, për nivelin e ulët të produktivitetit tonë, udhëzojnë edhe të dhënat e zyrës evropiane të statistikave “EUROSTAT”, sipas të cilave, një punëtor në Maqedoni për një orë pune krijon vetëm afër 43 për qind të vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në Bashkimin Evropian.
Ekonomistët në Maqedoni, vite me radhe alarmojnë se produktiviteti i ulët i ekonomisë vendore ndërlidhet krahas pajisjes së e dobët teknike-teknologjike të kapaciteteve prodhuese, edhe me mungesën e masave më të mëdha ndaj mbështetjes së eksportit, dhe modernizimin e procesit prodhues. Vlerësohet se një nga dobësitë kryesore të ekonomisë vendore është orientimi i vogël kompanive vendore ndaj eksportit, apo vetëm pesë për qind e bizneseve në shtet shesin prodhime dhe shërbime jashtë shtetit.
Ndryshe, përvojat e shteteve të zhvilluara dhe të pasura tregojnë se një vend është i pasur aq sa mundet të prodhojë produkte të ndryshme që do eksportohen me qëllim që të ketë edhe rritje sa më të lartë ekonomike, që në fund do të sjellë edhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. (koha.mk)










