ASH: Artan Grubi dhe Ejup Rustemi kanë rrezikuar rëndë sigurinë kombëtare duke ua dhënë oligarkëve të Putinit tenderin për korridorët 8 dhe 10

Në një konferencë për shtyp sot Aleanca për Shqiptarët zbuloi fakte të pamohueshme për bashkpunimin e zv.kryeministrit të parë Artan Grubi me oligarkët rus në marveshjet dhe tenderat e bërë për mbikqyrje gjatë ndërtimit të koridoreve 8 dhe 10.E prezantuar nga anëtari i komisionit për transport, deputetit Syrija Rashidi në konferencën e sotme Aleanca për Shqiptarët thotë:

Zëvendëskryeministri Grubi këto ditë konfirmoi raportimet mediatike se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore ia ka dhënë tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10 një kompanie me kapital rus.

Konsorciumi i përzgjedhur për këtë tender udhëhiqej nga Instituti IGH me seli në Zagreb dhe pronë e oligarkëve rusë të afërt me pushtetin e Vladimir Putinit dhe FSB-në ruse.

Kush qëndron pas konsorciumit të udhëhequr nga Instituti IGH?

– Mjafton një vizitë e thjeshtë në faqen e internetit të kompanisë për të parë se bordi mbikëqyrës i kompanisë përbëhet nga tre shtetas rusë: Sergej Glijadelkin, Marijan Tkaç dhe Igor Tkaç. Kryetar i bordit drejtues është Robert Petrosian, një tjetër individ me origjinë nga ish-BRSS, i shkolluar në Uzbekistan dhe me përvojë të gjatë në kompanitë kryesore ruse. Këto të dhëna konfirmohen nga Regjistri Gjyqësor kroat, gjithashtu i qasshëm publikisht.

– Hulumtimet më të detajuara në mediat kroate tregojnë se Sergej Glijadelkin, Marijan dhe Igor Tkaç kanë qenë në qendër të disa skandaleve korruptive në Kroaci, që përfshijnë zyrtarë të lartë qeveritarë në lidhje me blerje të pronave në Zagreb, në jug të Francës dhe në Gjenevë.

– Burimet ndërkombëtare përmbajnë informata edhe më shqetësuese për këta oligarkë rusë. Think tanku amerikan Atlantic Council i referohet Sergej Glijadelkinit si njeri i FSB-së, trashëgimtares së KGB-së. Sipas Atlantic Council, Glijadelkin grumbulloi pasurinë e tij nën mbrojtjen e gruas më të pasur të Rusisë, Jelena Baturina, e afërt e Putinit dhe grua e ish-kryebashkiakut të Moskës, Juri Luzkhov. Më tej, Atlantic Council thotë se Glijadelkin është i afërt me rrethin e ngushtë të Putinit dhe se është ortak i Igor Çaika, djali i Juri Çaika, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Putinit. Firma e Glijadelkinit, Avenue Group, që është aksionari kryesor në Institutin IGH, është ndër kontraktorët kryesorë të qeverisë ruse. Sipas Atlantic Council, Glijadelkin është pjesë e një strategjie më të gjerë të Kremlinit për inflitrim rus në Evropë.

– Gjatë hulumtimit tonë, zbuluam gjithashtu se Marijan dhe Igor Tkaç janë kushërinjtë e Glijadelkin. Vëllai i tyre, Oleg Polikarpoviç Tkaç, është senator i partisë së Putinit. Vajza e Oleg Tkaç ka punuar për shumë vite si asistente e Mikhail Mishustin, Kryeministri aktual i Putinit. Gjithashtu, raportohet se Igor Tkaç është mik i ngushtë i Ivan Tkaçev, kreu i departamentit të FSB-së për kundërzbulim në shërbimet financiare.

– Partneri i Institutit IGH, Instituti për Rrugë Veles është ndërmarrje e vogël e themeluar në vitin 2021 me një depozitë prej 5.000 euro dhe për të cilën nuk ka të dhëna financiare. Pronari i saj është Sotir Ampov, një kontabilist nga Gjevgjelia i njohur nga sistemi i drejtësisë dhe i përmendur më herët në raste penale. Nga databaza e prokurimeve publike rezulton se kjo kompani deri më tani ka marrë dy tenderë nga Rrugët Shtetërore për mbikëqyrjen e projekteve ndërtuese, gjë që rrit dyshimet për korrupsion.

Pra, është më se e qartë se Kremlini dhe FSB-ja qëndrojnë pas Glijadelkinit dhe Institutit IGH. Andaj, Zëvendëskryeministri Grubi si përgjegjës politik dhe Drejtori i Rrugëve Shtetërore, Ejup Rustemi si përgjegjës administrativ, kanë rrezikuar në mënyrë të paprecedentë sigurinë kombëtare duke kontraktuar Institutin IGH për të mbikëqyrur punën e Bechtel-Enkës.

Po të mos kishin qenë sanksionet financiare të aleatëve mbi Rusinë, sot Putini dhe FSB do të ishin ulur këmbëkryq mbi projektin më strategjik për shqiptarët dhe aleatët tonë në Maqedonië e Veriut dhe në Ballkanin perëndimor.

Fatmirësisht, kontrata dështoi sepse Instituti IGH nuk depozitoi me kohë garancinë bankare të paraparë në kontratë, me shumë gjasa për shkak të bllokimit të asetëve si pasojë e sanksioneve financiare ndaj Rusisë. Por kjo nuk e zhbën këtë skandal të përmasave të papara deri më tani në rrethanat të cilat gjinden Evropa dhe bota. Një sistem i tërë ka dështuar në detektimin e kësaj tentative infiltrimi malinj nga ana e Kremlinit dhe FSB-së.

Aleanca për Shqiptarët kërkon dorëheqjen e menjëhershme të zyrtarëve të lartpërmendur dhe i bën thirrje Prokurorisë Publike që të hetojë dështimin e institucioneve të sigurisë nacionale për të detektuar kërcënimin e paraqitur nga Instituti IGH dhe që të identifikojë përgjegjësit për këtë fiasko të sigurisë me tipare korruptive.

Faktet:

– Autostradat Tetovë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk Bechtel- Enka, me kushtet e përcaktuara nga një ligj i posaçëm i votuar në Kuvend. Ndërmarrja Publike Rrugët Shtetërore është dashur të publikojë tender për shërbime të mbikëqyrjes dhe të këshillimit juridik për ndërtimin e autostradave të reja.

– Më 28 dhjetor 2021, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore publikoi tender për shërbime të mbikëqyrjes dhe këshillimit juridik për korridoret 8 dhe 10, me afat për dorëzimin e ofertave deri më 23 mars 2022. U pranuan dy oferta, respektivisht nga US Hill International dhe një konsorcium i udhëhequr nga Instituti IGH me seli në Zagreb.

– Sipas raportit të komisionit për prokurim publik, vetëm një ofertë ishte e pranueshme, ajo e konsorciumit të udhëhequr nga Instituti IGH, në bashkëpunim me kompaninë maqedone Instituti për Rrugë Veles.

– Më 17 maj, u mor vendimi për dhënien e kontratës Institutit IGH. Kontrata ishte në vlerë prej 22.6 milionë euro pa TVSH dhe kohëzgjatja e kontratës ishte 58 muaj. Sipas informatave të publikuara nga Bursa e Zagrebit, Instituti IGH ka marrë pjesë në kontratë me 8,7 milionë euro, ndërsa kompania maqedone Instituti për Rrugë Veles me 13,8 milionë euro.

– Kontrata mes Rrugëve Shtetërore dhe Institutit IGH u lidh më 3 gusht, por garancia bankare prej 10% të vlerës totale të kontratës (2.6 milionë euro me TVSH) nuk u depozitua në kohë nga Instituti IGH, sipas dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik. Instituti IGH kërkoi shtyrje të afatit deri më 5 gusht, por përsëri nuk arriti të sigurojë garancinë bankare.

– Kështu, kontrata u shkel nga Instituti IGH dhe u bë e pavlefshme. Rrugët Shtetërore vendosën të nisin një procedurë të re për ripublikimin e tenderit, sipas ligjeve në fuqi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu