Zhvillimet e fundit në diplomacinë evropiane kanë rikthyer në vëmendje çështjen e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Spanjës, José Manuel Albares, se Madridi nuk do ta pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, është vlerësuar nga disa si një sinjal i rëndësishëm për ndryshimin e qasjes së këtij shteti ndaj Kosovës.
Ky qëndrim ka nxitur diskutime për mundësinë e afrimit të mëtejshëm të shteteve mosnjohëse me Kosovën, por edhe për hapat që duhet të ndërmarrë diplomacia kosovare për ta shndërruar këtë klimë të re politike në rezultate konkrete.
Albares ka bërë deklarata të ngjashme edhe më herët. Në janar të vitit 2024, kur Spanja nisi t’i pranojë pasaportat e Kosovës, ai deklaroi se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë as për dialogun Beograd–Prishtinë, as për afrimin e Prishtinës me Bashkimin Evropian, duke theksuar njëkohësisht se kjo nuk nënkupton njohjen e sovranitetit të Kosovës.
Lidhur me këtë zhvillim, në një prononcim për “Bota Sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, e cilëson deklaratën e shefit të diplomacisë spanjolle si lajm shumë të mirë dhe shprehje të një qëndrimi më konstruktiv të Madridit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Ai vlerëson se Spanja ka ndryshuar dukshëm qasjen e saj krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa deklaratën e Albaresit e sheh si një sinjal serioz se Madridi nuk dëshiron të jetë pengesë për integrimin evropian të Kosovës.
“Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës në fillim të kësaj jave në Bruksel për Kosovën ishte një lajm shumë i mirë dhe shprehje e qëndrimit konstruktiv të qeverisë spanjolle për shtetësinë e Kosovës. Madridi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por prej vitesh ka ndryshuar qëndrimin ndaj saj. Kujtojmë se Spanja ishte radikalisht kundër njohjes së shtetit të Kosovës, së paku para vitit 2020. Më radikale sesa katër shtetet e tjera mosnjohëse, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, deklarata e fundit e ministrit Albares ka një peshë të veçantë politike, pasi përmes saj Spanja ka bërë të qartë se nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën drejt strukturave evropiane.
“José Manuel Albares foli së fundi qartë. Tha se vendi i tij, Spanja, nuk do ta bllokojë rrugëtimin e Kosovës në integrimin evropian. De facto, kjo është njohje e pavarësisë së Kosovës. Nëse vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s nuk e pengojnë Kosovën për t’u integruar në strukturat euroatlantike, atëherë ato e konsiderojnë atë shtet, madje me atribute evropiane civilizuese. Në këtë rast ka pak rëndësi akti formal i njohjes juridike, megjithëse edhe ky akt ka rëndësinë e vet”, thekson ai.










