ASH dhe AAA ndajnë rrugët

Aleanca për Shqiptarët prish zyrtarisht koalicionin me Alternativën. Deputetët e ASH-së do të funksionojnë si grup parlamentar në vete.

Koordinatore është caktuar deputetja Ilire Dauti. ASH-ja marrëveshjen Zaev-Gashi e cilësojnë të pakuptimtë.

Realisht është diskutalibile qasja por edhe motivet e inkuadrimit të Alternativës në Qeveri, aq më tepër duke pasur parasysh edhe deklaratat e kryeministrit në ikje se marrëveshja e nënshkruar nga dy subjektet politike, për zbatimin e saj obligimi i takon kryeministrit të ardhshëm”, tha Elmi Aziri, deputet i ASH-së.

Koordinatori i deritanishëm i grupit parlamentar ASH-AAA, Skender Rexhepi gjatë ditës njoftoi kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi se jep dorëheqje nga pozita e koordinatorit.

Rexhepi thotë se akoma është herët të flitet nëse do të kërkojnë edhe një deputet për të formuar grup parlamentar në vete, ndërsa lidhur me pozitën e nënkryetarit të Kuvendit e cila i merret Lëvizjes Besa dhe i jepet Alternativës, nuk është diskutuar brenda partisë.

Janë çështje të cilat duhet biseduar në të ardhmen. Është me rëndësi që Alternativa me vendim të Kuvendit Qendror është pozicionuar me shumicën dhe për çdo lëvizje tjetër do të informoheni në kohë”, u shpreh Skender Rexhepi, deputet i Alternativës.

Prishja e koalicionit vjen pas vendimit të Alternativës për t’u bërë pjesë e shumicës. Koalicioni ishte formuar në verën e vitit 2020 ku dyja subjektet garuan bashkë në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut duke siguruar 12 mandate. Në zgjedhjet lokale, fituan 2 komuna, ndërsa pas fitores në raundin e dytë koalicionit iu bashkua edhe kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiku i cili aderoi nga PDSH-ja në partinë e Ziadin Selës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu