Trajneri i ekipit kombëtar të Egjiptit, Javier Aguirre, beson se nëse ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, triumfon në Kupën e Kombeve të Afrikës, atëherë Topi i Artë do t’i takojë atij.
27-vjeçari egjiptian e ka shijuar një tjetër sezon mbresëlënës me Liverpoolin, gjatë sezonit 2018/19.
Në një nivel personal, ai nuk i arriti të njëjtat rekorde si në sezonin debutues me Liverpoolin, kur i shënoi 44 gola në të gjitha garat dhe e fitoi çmimin e Lojtarit më të Mirë të Vitit në Premierligë.
Megjithatë, këtë vit Salahu arriti t’i ndihmojë Liverpoolit ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve dhe e shtoi edhe një tjetër Këpucë të Artë të Premierligës në koleksionin e tij.
Ai tani është duke kërkuar suksese me ekipin kombëtar të Egjiptit, në vendlindje, dhe trajneri Aguirre beson se një medalje e artë e Kupës së Kombeve së Afrikës do t’ia siguronte atij edhe Topin e Artë.
“Unë e shoh se sa të vështirë e ka ai ta fitojë Topin e Artë. Pse të mos e fitojë tani? Ai është fitues i Ligës së Kampionëve me Liverpoolin”, tha Aguirre në një konferencë për shtyp.
“Nëse ai mund ta çojë Egjiptin drejt lavdisë në Kupën e Kombeve të Afrikës, atëherë askush s’do të mundë t’ia marrë atij Topin e Artë”.










