Asociacioni nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit të Kosovës, thotë Escobar

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Escobar tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet dhe shtoi se SHBA pret që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, theksoi ai.

Më 18 gusht, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun dhe Escobar shpreson që në këtë takim të flitet edhe për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë diskutime në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Procesi i dialogut ka për synim normalizimin e plotë të raporteve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu