Atë që Europa nuk e bëri për 9 vite ndaj Kosovës, Trump e bëri për 4 muaj

Pas plot 20 vjetësh kontestimesh të ekzistencës së hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia, palët kanë nënshkruar një letër për t’i lejuar kompanisë gjermane ‘Lufthansa’ që ta hapë korridorin ajror mes Kosovës dhe Serbisë, e krejt kjo është mundësuar me mbështetjen e amerikane. Por për këtë hap kaq të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, faktorizimi amerikan dhe ndikimi i tyre në rritje në Ballak, nuk po u pëlqen BE’së, e cila që 9 vite ndërmjetësi në dialogun Kosovë-Serbi, deri më tani nuk ka arritur asnjë progres rreth kësaj çështje,

Gjatë ditës së djeshme, në Ambasadën amerikane në Berlin, Drejtori i Aviacionit Civil, Eset Berisha, ka hedhur nënshkrimin në dokumentin që i jep pëlqim “Lufthansas” që të aplikojë për leje në Kosovë.

Menjëherë pas këtij veprimi, për fillimin e linjës ajrore mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i dërguari i presidentit të SHBA’së për bisedimet Kosovë -Serbi, Richard Grenell, që e ka konfirmuar lajmin, ai ishte edhe iniciatori kryesor i kësaj marrëveshje.

“Presidenti Donald Trump edhe një herë na çoi në një fitore historike. Kosova dhe Serbia sot nënshkruan marrëveshje për fluturimet e para direkte midis Prishtinës dhe Beogradit pas 21 vjetësh. Faleminderit ‘Lufthansa’, NATO, Robert C O’Brien dhe liderët e Kosovës dhe të Serbisë”, shkroi Grenell.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i organizatës me të madhe ushtarake në botë, NATO’s.

Sipas shefit të Aleancës Veri-Atlantike, NATO’ja do të mbetet e përfshirë përmes procesit afatgjatë të Normalizimit të Aviacionit Ballkanik, të cilin po e udhëheq.

“Unë mirëpres qëllimin e Eurowings dhe Grupit Lufthanza për të vendosur fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës, bazuar në letrat e nënshkruara në Berlin sot. Ky është një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë lëvizjen më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Komandanti ynë i KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovën, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Stoltenberg

Për marrëveshjen e linjës ajrore ka reaguar edhe vetë Presidenti amerikan, Donald Trump, duke thënë se kjo është një tjetër fitore.

Trump këtë marrëveshje e ka quajtur fitore, duke ia atribuar këtë sukses administratës që udhëheq.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Duke iu falënderuar Ambasadorit Robert O’Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Trump.

Edhe pse po konsiderohet nga të gjitha palët e përfshira si një hap i rëndësishëm për normalizim e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kështu nuk po e konsideron edhe BE’ja, edhe pse kjo e fundit është ndërmjetësuesja e dialogut.

I pyetur se çfarë mendon BE’ja për këtë marrëveshje, zëdhënësi i BE’së, Peter Saton, ka thënë se kjo çështje nuk duhet të diskutohet në dialogun Beograd-Prishtinë, duke e injoruar tërësisht përfshirjen e amerikanëve dhe arritjen me linjën ajrore e cila ishte mbetur pezull për 20 vite më radhë.

“Kjo linjë është një fluturim komercial dhe është kualifikim i vetëm që mund të përdori për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi i BE’së, i Peter Saton, transmeton Gazeta Metro.

Vlenë të theksohet se bisedimet Kosovë-Serbi kanë filluar para plot 9 vitesh, me 8 mars, 2011, me ndërmjetësimin e BE’së, pa dhënë asnjë rezultat konkret.

Ndërsa, me emërimin e Ambasadorit Richard Grenell, me 4 tetor të vitit 2019, si i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë -Serbi, ka dhënë frytet e para, pas vetëm vetëm 4 muaj punë. Ishte pikërisht Grenell ai që inicioi marrëveshjen e për linjën ajrore.

Por fuqizimi i rolit amerikan, po shihet si i domosdoshëm pasi që Bashkimi Europian po konsiderohet si një partner më pak i fuqishëm për t’i drejtuar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Që nga vënia e taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake, dialogu Kosovë -Serbi është në ngërç.

Shumë nga njohësit e çështjeve këtë ngërç në dialog po e kanë parë edhe si dështim të Bashkimit Europian.

Këtë marrëveshje e kanë përshëndetur të gjithë liderët e Kosovës, përveç liderit të VV’së, Albin Kurti, i cili ende nuk ka bërë ndonjë koment pro dhe as kundër saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu