“Avdullah Hoti këmbëngul, por këtë formulë nuk e pranon Serbia”, zbardhen detajet pse u bllokua dialogu

Pas gati 3 muajsh ndërprerje, më 10 dhjetor pritet të zhvillohet një takim ndërmjet shefave të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë në dialogu, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi në BE për politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

“Mund të konfirmoj se ekziston ideja që javën e ardhshme të zhvillohet takimi në nivelin e kryenegociatorëve në Bruksel”, ka thënë Stano, duke mos dashur që të japë detaje tjera rreth takimit dhe temave që do të diskutohen.

E lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duket se është i bllokuar. Kjo nuk ka ndodhur për shkak se në Kosovë është krijuar një ngërç institucional se Thaçi dhe Veseli shkuan në Hagë, siç e interpretojnë disa eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo që mund ta quajmë bllokim i dialogut ka ndodhur për shumë arsye tjera, por jo se tashmë mungon roli i Hashim Thaçit. Përkundrazi, nëse Kosova ka një dobi për shkuarjen e Thaçit në Hagë, kjo dobi i vjen asaj nga largimi i ish-presidentit problematik nga skena politike”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, kjo po ndodhë edhe për shkak edhe të kryeministrit, Avdullah Hoti, i cili sipas Bytyçit, nuk është si Thaçi.

“Arsyeja kryesore lidhet me faktin se kryeministri Hoti nuk është i gatshëm si paraardhësi i tij, të arrijë një marrëveshje të “dhimbshme” për Kosovën. Pra nuk dëshiron të diskutojë as për shkëmbim kufijsh, as për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë. Ndërsa Thaçi thoshte “Hajde të shkojmë e ta firmosim ndarjen e Kosovës e ta heqim qafe Serbinë”, Hoti këmbënguli që të bisedohet vetëm rreth një drafti në të cilin vendosen kushtet për njohje të ndërsjellët. Por këtë formulë nuk e pranon Serbia, sepse Serbisë i duhet ta shfrytëzojë dialogun për t’u rehabilituar dhe jo për të zgjidhur konfliktin”, ka thënë profesor Bytyçi.

“Arsye të tjera me të cilat lidhet stopimi i dialogut ka të bëjë edhe me situatat që kalojnë vetë Kosova, por edhe aktorët ndërkombëtarë në Evropë dhe në SHBA. Në ShBA duhet që pushteti të transferohet nga Donald Trump te Joe Biden. Por ata kanë ide dhe qasje të ndryshme rreth zgjidhjes së krizës në Kosovë. Ndërsa Biden dëshiron një zgjidhje në pajtim me evropianët, Trump kishte synim injorimin e aktorëve në Evropë. Kjo është çështje parimore shumë e rëndësishme. Prandaj duhet që të vendoset presidenti i ri në Shtëpinë e Bardhë që të ndizen motorët në dialog. Madje do të duhet kohë më të gjatë për këtë, sepse Biden nuk do të merret me Kosovën, Serbinë e Ballkanin ditën e tij të parë të punës. Pandemia është gjithashtu një pengesë e procesit, sepse të gjitha energjitë janë drejtuar për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish të rrezikuara nga Covid-19”, shton profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Kosova vuan përsëri një krizë politike, por edhe në fusha të tjera.

“Ka një qeveri të kontestuar nga pikëpamja e legjitimitetit të saj. Ka institucione që kanë dalë më shumë nga pazaret politike, sesa nga vullneti i sovranit. Ka konflikte në koalicionin qeverisës. Zgjedhja e presidentit të ri e thelloi këtë krizë dhe kjo është pasojë e konceptit të ish-presidentit tani në Hagë, sipas të cilit “Pas meje u bëftë kiameti”! Pra nuk kemi institucione të autorizuara nga sovrani për të definuar një dialog të suksesshëm me Serbinë”, thekson Bytyçi.

Më tej, ai shton se në Serbi nuk dëshirojnë zgjidhjen e çështjes me Kosovën.

“Megjithatë unë besoj se në bllokimin e përkohshëm luajnë rol edhe faktorët subjektiv. P.sh. Në Beograd nuk duan që të bisedohet për çështjen e zgjidhjes së konfliktit, sepse nuk janë të gatshëm ta njohin shtetin e Kosovës. Madje udhëheqësit serbë kanë rritur retorikën e luftës e të kërcënimeve kundër Kosovës. Ndërkaq e gjitha kjo ndodh, sepse në BE nuk janë të gatshëm të ushtrojnë presion ndaj qeverisë serbe. Askush nuk reagon kundër deklaratave luftë-nxitëse të presidentit apo ministrit serb të Mbrojtjes. Po ashtu në Bruksel vetë shefi i diplomacisë dhe sigurisë evropiane Josep Borrel l ende nuk e ka të qartë se çfarë do të realizojë për dialogun. Sipas informacioneve të mia, ai ishte para dy javësh në Bosnjë-Hercegovinë dhe aty ka deklaruar se “përgjegjës për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë është Bashkimi Evropian” dhe se “Në tavolinë janë të gjitha opsionet, përfshirë shkëmbimin e territoreve”! Madje thotë se edhe për minishengenin Brukseli është moderator i kësaj iniciative”.

Profesor Bytyçi deklaron se Borell ishte në kundërshtim me kancelaren Angela Merkel.

“Nga këto deklarata të Borrell më rezulton se ai shkon në kundërshtim me pozicionin e disa udhëheqësve të rëndësishëm evropianë, përfshirë dhe kancelaren Merkel. Kjo do të thotë se Borrel dëshiron të favorizojë Serbinë në dialog, gjë që vjen në kundërshtim me të drejtën dhe politikat evropianë për stabilitet, paqe e siguri në rajonin tonë. Ky opsion i zotit Borrel është urë zjarri në vatrën e nxehtë që quhet Ballkan. Deklaratat e Borrell në Sarajevë do të duhej të ishin kambanë alarmi për institucionet dhe qeverinë e Kosovës”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

data-full-width-responsive="true">

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu