Bajram Begaj zgjidhet President i ri i Republikës së Shqipërisë

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka marrë besimin e shumicës së deputetëve në Kuvend për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Nga votimi në Kuvendin e Shqipërisë mori 78 vota pro dhe 4 vota kundër dhe një abstenim ndërsa i duheshin vetëm 71 për të zëvendësuar Ilir Metën.

Në procesin e votimit morën pjesë 83 deputetë, nga të cilët 74 ishin nga mazhoranca. Nga opozita votuan Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho ndërsa në votime morën pjesë edhe tre deputetë të PSD.

Opozitarët e pranishëm në sallën e Kuvendit që votuan kundër kësaj kandidature, shprehën si shkak se besojnë që socialistët shkelën rregulloren e Kushtetutës, pasi një ushtarak në detyrë aktive nuk mundë të dalë kandidat për President.

Kreu i PD-së, Sali Berisha së bashku me grupin e deputetëve demokratë bojkotoi procesin e votimit të zgjedhjes së presidentit me arsyetimin se një ushtarak në detyrë nuk mund të mbajë funksione të tjera sipas nenit 167 të Kushtetutës.

Po ashtu, grupi parlamentar i deputetëve të PD-së të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk morën pjesë në votim dhe nëpërmjet një deklarate të shpërndarë nga deputetja Orjola Pampuri u shprehën se kryeministri i vendit do të zyrtarizojë sot në mënyrë të njëanshme emërimin e Presidentit të Republikës.

Bajram Begaj, deri paraditen e sotme mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por me një dekret të lëshuar nga Presidenti në ikje Ilir Meta, ai u lirua nga detyra duke i hapur rrugë kështu emërimit në përputhje me Kushtetutën. Pas tre raundeve të dështuara, në raundin e katërt Begaj u propozua nga partia në pushtet, Partia Socialiste.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se partia që ai drejton do të mbështesë Bajram Begajn për të qenë Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi”, tha Rama, duke iu referuar kandidatit për presidenti.

Begaj është zgjedhur në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në korrik 2020. Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në qytetin e Rrogozhinës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit të Tiranës.

Raundi i parë, i dytë dhe i tretë për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë u ezauruan më 16, 23 dhe 30 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Procesi në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Ndërkohë Begaj u propozua nga 37 socialistë.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij përfundon në korrik të vitit 2022.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu