“Ligji për Investime Strategjike nuk është bërë në mënyrë të veçantë për Brezovicën, por, sigurisht, si Ligj mund të shfrytëzohet edhe për atë projekt, pasi është një projekt i madh dhe i një rëndësie strategjike.”
“Ka pasur një numër të investitorëve, të cilët janë interesuar në procedurën e parë të prokurimit, mirëpo, të cilët nuk kanë pasur interesin që të hyjnë në kombinime me investitorin e atëhershëm”, thotë Bajrami.
Qëllimi kryesor Ligjit për Investime Strategjike është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërgjatura, e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës.
Ligji i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejt me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.
“Ne jemi duke promovuar projektin intensivisht te kompanitë e ndryshme. Në momentin që ka kërkesa dhe interesim nga ana e kompanive ne mund të kemi edhe diçka të re, nuk është diçka që varet nga ne. Projektin e kemi të gatshëm, por duhet të shohim a ka investitorë të interesuar”, thotë ministrja Bajrami.
Kompleksi turistik “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.
Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të qendrës turistike “Brezovica”, pasi konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.
Ligji për Investime Strategjike, i miratuar dy javë më parë, ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për shkak se deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e ligjshmërisë së miratimit të këtij Ligji.