Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, u shpreh se beson se deri nesër në mesditë apo pasdite do të kemi rezultatet për partitë politike, për të vijuar mandej me kandidatët.
Duke komentuar pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, Balla tha në një intervistë në “News24” se ajo është sipas pritshmërive të Partisë Socialiste.
“Gjej rastin të falënderoj të gjithë qytetarët të Elbasanit, të gjithë qarkut, për qytetarinë e treguar, për pjesëmarrjen që është për ne sipas gjithë pritshmërive tona, dhe besoj që edhe minutat në vijim, më pak se 100 minuta në vijim, pjesëmarrja të jetë më e lartë. Ku secili fton votuesit e vet, unë ftoj tanët të përdorin këto minuta që kanë mbetur për të ushtruar votën e tyre dhe për të na dhënë një mbështetje më të madhe se sa na kanë dhënë deri tani. Me përjashtim të momentit të identifikimit biometrik.
Nga ana e PS janë respektuar të gjitha rregullat. Të vetmit që janë shtyre në disa qendra votimi janë disa persona që vijnë nga krahu tjetër. Unë dua t’ju garantoj që nga ana e PS nuk ka pasur asnjë shkelje të asnjë norme të vendosur nga Kodi Zgjedhor apo rregullorja e KQZ. Të presim të mbyllim procesin e votimit me kujdes dhe pastaj të filloj procesi i numërimit. Dhe besoj që deri nesër në mesditë, apo deri nesër në këtë orë të kemi rezultatet për partitë politike. Dhe pastaj të filloj numërimi sa i përket kandidatëve”, tha Balla.









