“Barça të mos gabojë, unë nuk do ta shkëmbeja Dembele me Neymar”

Ish-ylli i Francës, Robert Pires, mendon se Barcelona do të bënte gabimin më të madh, nëse e largon Dembele, me qëllim që të rimarrë Neymar nga PSG. Talenti francez arriti vitin e kaluar në “Camp Nou” si zëvendësues për Neymar, i cili u bashkua me PSG për një shumë rekord botëror prej 222 milionë euro.

Lëndimet kishin një ndikim veçanërisht të dëmshëm në sezonin e parë të Dembele te katalanasit, ndërkohë që koha e tij në Spanjë është goditur, gjithashtu, nga sjelljet joprofesioniste. Së fundi u njoftua se javën e kaluar, 21-vjeçari kishte shkuar me vonesë në trajnim, diçka e përsëritur kjo, e shoqëruar me një gjobë të majme.

Megjithatë, Dembele ka bërë përshtypje disa herë, duke shënuar në secilën nga dy ndeshjet e tij më të fundit, kundër Espanyol dhe Tottenham. Neymar ka qenë i lidhur fort, në muajt e fundit, me një kthim në “Camp Nou”, duke ngritur spekulime për të ardhmen e Dembele te gjigandët spanjollë. Por, Pires është i bindur se Barça është më mirë me bashkëkombësin e tij.

“Unë e dua shumë Dembele, shumë, – tha ai për “Mundo Deportivo”. – Ne gjithmonë flasim për Lionel Messin, por ky djalë është shumë i mirë. Ai është i ri, por me ato që bën, ne të gjithë e gjykojmë si fëmijë. Ajo që duhet të bëjë është vetëdisiplinimi i jetës.

Dembele është i ri; me cilësinë dhe talentin e tij mund ta ndihmojë Barçën për të fituar Ligën e Kampionëve, gjithashtu La Liga-n. Siç kemi parë kundër Tottenham dhe Espanyol, ai ka potencial të madh.

Nëse kisha për të zgjedhur, unë nuk do ta shkëmbeja Dembele me Neymar. Ousmane është 21 vjeç, luan me të majtën dhe të djathtën, ka shumë cilësi me topin. Ai ka shumë potencial, më shumë se ajo që kemi parë deri tani”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu